Stuhia godet Spanjën jugore, 4 të zhdukur nga vërshimet e ujërave, paralizohet jeta në Valencia

Nga A2 CNN
29 Tetor 2024, 22:00 | Bota
Stuhia godet Spanjën jugore, 4 të zhdukur nga vërshimet e

Shiu i rrëmbyeshëm, i sjellë nga një front i ftohtë që lëviz nëpër Spanjën juglindore ka përmbytur rrugët dhe qytetet, duke bërë që autoritetet në zonat më të goditura të këshillojnë njerëzit të mos dalin jashtë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Agjencia spanjolle e motit AEMET shpalli alarmin e kuq për pjesën lindore të rajonit të Valencias dhe alarmin e verdhë për pjesë të Andaluzisë në jug, ku një tren doli nga shinat për shkak të shiut të dendur, por fatmirësisht askush nuk u lëndua.

Videot e publikuara tregojnë zjarrfikësit duke çliruar shoferët e bllokuar mes shiut të rrëmbyeshëm në qytetin e Althira, në Valencia.

AEMET pret që Valencia të goditet më rëndë prej stuhisë, me parashikimet që flasin për më shumë se 90 mm shi në më pak se një orë ose 180 mm në më pak se 12 orë.

Sakaq, shkollat, gjykatat dhe shërbimet e tjera thelbësore u pezulluan në Carlet dhe qytete të tjera aty pranë. Shërbimet lokale të emergjencës kërkuan ndihmën e UME, një njësi ushtarake e specializuar në shërbimet e shpëtimit, në rajonin Utiel-Requena, ku shoqata bujqësore ASAJA njoftoi se moti ekstrem kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme në të mbjella.

Stuhia goditi fillimisht Andaluzinë. Në El Ejido, një qytet mesdhetar i njohur për serat e tij, një stuhi breshëri shkatërroi qindra xhama makinash dhe përmbyti rrugë.

Në Alora, gjithashtu në Andaluzi, lumi Guadalorthe doli nga shtrati dhe 14 persona u shpëtuan nga zjarrfikësit.

Ndërkohë, raportohet se të paktën katër persona rezultojnë të zhdukur në rajonin e Albacete, ku uji rrëmbeu makinat.

Kryebashkiaku Sergio Marin Sanchez tha se shërbimet e shpëtimit po kërkonin "tre ose katër persona" të cilët rezultojnë të zhdukur. “Disa nga të zhdukurit ishin në veturë, të tjerët në shtëpi”, tha ai, duke theksuar se nuk kishte informacione të tjera.

Edhe në qytetin Alcudia ka të zhdukur. Policia tha se po kërkon shoferin e një kamioni që u zhduk në orët e para të pasdites.

Për shkak të motit të keq dhe pasojave të tij, kompania kombëtare hekurudhore Adif pezulloi shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe Valencias.

Një tren i tillë me shpejtësi të lartë, me 276 pasagjerë, doli nga shinat në rajonin e Andaluzisë, por askush nuk u lëndua.

Shërbimet e shpëtimit madje evakuuan dhjetëra njerëz me helikopterë nga Alora, Andaluzi, pas vërshimit të një lumi. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos