Të dekurajuar, të pavendosur, shumë të kujdesshëm, të përqendruar te siguria, me një dozë të konsiderueshme frike nga e ardhmja - kjo është ajo që konsiderohet globalisht si "Ankthi Gjerman". Prandaj nuk është për t'u habitur që shumë studime mbi frikën kryhen ekskluzivisht në Gjermani.
Kjo vlen edhe për studimin "Frikat e Gjermanëve 2025", nga qendra e informacionit e kompanisë së sigurimeve R+V, e cila për të 34-tën herë pyeti njerëzit në Gjermani se për çfarë shqetësohen më shumë, nga çfarë kanë më shumë frikë?
Një rezultat i habitshëm i anketës aktuale: pavarësisht krizave globale dhe situatës së tensionuar ekonomike - gjermanët janë më të relaksuar. Indeksi i frikës - vlera mesatare e të gjitha frikërave tek personat e anketuar - ka rënë ndjeshëm në 37% (2024: 42%).
"Njerëzit përballen vazhdimisht me një mori krizash përballë të cilave janë të pafuqishëm. Gjermanët janë mësuar me këtë gjendje, janë lodhur nga krizat", shpjegoi politologia Isabelle Borucki, e cila ndoqi studimin si këshilltare.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që njerëzit në Gjermani janë të pakujdesshëm - fokusi i tyre është thjesht më shumë tek e tashmja. "Edhe pse frika për situatën ekonomike dhe koston e jetesës është ende e lartë, njerëzit nuk ndihen më aq të prekur sa më parë."
Frikat ekzistenciale janë më të mëdhatë
Më shumë se gjysma e popullsisë (52 përqind) kanë frikë nga rritja e kostove të jetesës. Kjo frikë është në krye të listës për të 15-ën herë. Dhe ata gjithashtu kryesojnë listën për shqetësimet që lidhen me paratë.
Pothuajse gjysma e gjermanëve (49 përqind) kanë frikë se shteti do të rrisë taksat ose do të ulë përfitimet dhe shërbimet sociale - vendi i 3-të në listë.
Më pak apartamente, çmime më të larta: 48 përqind e të anketuarve kanë frikë se strehimi do të bëhet i papërballueshëm (vendi i 4-të). Kjo frikë është më e theksuar tek gratë sesa tek burrat.
Migrimi vazhdon të trembë shumë - veçanërisht në Lindje
Në krye të listës së frikës është edhe frika se fluksi i refugjatëve do ta mbingarkojë shtetin - që renditet në vendin e dytë. Ndërsa në vendin e shtatë është shqetësimi se imigracioni i të huajve do të çojë në tensione sociale. Të dyja këto shqetësime janë dukshëm më të theksuara në Lindje sesa në Perëndim të vendit. Por të dyja kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar.
Në të njëjtën kohë, numri i kërkesave për azil në gjysmën e parë të vitit 2025 pothuajse është përgjysmuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar - falë masave të qeverive të mëparshme dhe aktuale. Sipas shpjegimit të shkencëtarit politik Boruka, kjo është vetëm në shikim të parë për politikën specifike të imigracionit dhe masat e saj.
"Bëhet fjalë për identitetin shoqëror, çështjen se çfarë është në të vërtetë bashkëjetesa kulturore dhe çfarë nënkuptohet me përkatësi. Çështja e refugjatëve është në thelb e lidhur me këtë. Përveç kësaj, sigurisht, frika nga imigracioni mund të instrumentalizohet lehtësisht politikisht, përmes narrativave populiste të krahut të djathtë ose ekstremiste të krahut të djathtë."
Frika, thotë Borucki, është një ndjenjë themelore, ekzistenciale. "Në këtë kuptim, ne jemi këtu në një nivel emocional dhe më pak në një nivel faktik.”
Sundimtarët autoritarë dhe Trump
Vetëm një gjë i shqetëson gjermanët pak më shumë se vitin e kaluar: fakti që sundimtarët autoritarë në të gjithë botën po bëhen më të fuqishëm. Ata renditen në vendin e 5-të me 47 përqind. Menjëherë pas kësaj është shqetësimi se politikat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump po e bëjnë botën më të rrezikshme (vendi i 6-të, 45 përqind).
Këto dy frikëra janë më të theksuara në Perëndim të vendit sesa në Lindje, dhe më shumë midis grave sesa burrave. Dallimet janë veçanërisht të dukshme kur bëhet fjalë për frikën nga pasojat e politikave të Trump.
Ekonomia, lufta në Ukrainë, ekstremizmi, klima
Çuditërisht, pavarësisht parashikimeve të pasigurta, frika nga një situatë më e keqe ekonomike vazhdon të bjerë. Tani "vetëm" 42 përqind e gjermanëve kanë frikë nga një recesion.
Lufta në Ukrainë është ende duke vazhduar. Frika se Gjermania mund të bëhet palë në luftë mbetet pothuajse e pandryshuar në 41 përqind. Ky shqetësim është veçanërisht i theksuar në Lindje të vendit dhe midis grave.
Frika nga ekstremizmi ka rënë ndjeshëm: në vitin 2025 ishte vetëm 40 përqind. Por cilin spektër politik kanë në mendje gjermanët?
Shumica e të anketuarve kanë më shumë frikë nga ekstremizmi i krahut të djathtë (43%) dhe ai islamist (42%), ndërsa vetëm tetë përqind kanë frikë nga ekstremizmi i krahut të majtë.
Megjithatë, shqetësimet për fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike renditen vetëm në vendin e 15-të dhe të 16-të, pavarësisht numrit në rritje të fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, zjarreve në pyje dhe thatësirave në të gjithë botën. Por kjo mund të ndryshojë shpejt: Midis të anketuarve të rinj të moshës 14 deri në 19 vjeç, frika nga ndryshimet klimatike është ndër tre frikërat kryesore.
Po për ndarjet në shoqëri?
Ndarjet sociale dhe polarizimi nuk shkaktojnë më aq shumë frikë midis gjermanëve (39%). Vlera ka rënë me nëntë pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar. Asnjë frikë tjetër nuk ka rënë kaq shumë.
Por çfarë lloj ndarjeje nënkuptojnë ato? Gjermanët kanë më shumë frikë nga hendeku midis njerëzve me dhe pa prejardhje migrante. Kjo pasohet nga shqetësimet për ndarjen midis të pasurve dhe të varfërve dhe atyre me pikëpamje pro-demokratike dhe anti-demokratike.
Frikat kryesore sipas grupmoshës
Sa më të vjetër janë gjermanët, aq më të shqetësuar janë: mesatarisht, frika rritet me moshën. Kjo tregohet nga shuma e të gjitha frikërave të anketuara sipas grupmoshës.
Dhe kur pyeten se çfarë kanë më shumë frikë, të rinjtë dhe të moshuarit japin përgjigje shumë të ndryshme.
Ndër të anketuarit më të rinj (14-19 vjeç), frika më e madhe është një luftë, në të cilën do të merrte pjesë Gjermania (45%), e ndjekur nga frika nga politikat e Trump dhe së fundmi nga ndryshimet klimatike.
Për të anketuarit e moshës 20 deri në 39 vjeç, shqetësimi kryesor është shtrenjtimi i vendstrehimeve. Për ata të moshës 40 deri në 59 vjeç, shqetësimi më i lartë është rritja e kostos së jetesës. Ndërsa gjysma e të dy grupmoshave janë të shqetësuar për rritjen e taksave dhe/ose uljen e përfitimeve sociale.
Në grupin më të vjetër, frika nga migrimi i tepërt është në vendin e dytë. Në grupin 60+ në krye të listës së shqetësimeve është se do të sëmuren rëndë në pleqëri dhe do të bëhen të varur nga kujdesi i të tjerëve. Ky grup është shumë i frikësuar edhe nga rritja e kostos së jetesës. DW (A2 Televizion)