Marka e njohur e ilaçeve Tylenol është përfshirë sërish në debate, pasi një postim i tyre në vitin 2017 u rikthye në vëmendjen e publikut, duke u ripostuar në llogarinë në X të Departamentit të Shëndetësisë, të drejtuar nga Robert F. Kennedy, Jr.. Në atë kohë, kompania dukej se u rekomandonte grave shtatzëna të mos përdornin produktet e saj, shkruan A2 CNN. Kjo u vu në pah nga Shtëpia e Bardhë vetëm disa ditë pasi Donald Trump pretendoi se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të shkaktonte autizëm.
Deklarata e Presidentit shkaktoi reagime të forta nga mjekë dhe shkencëtarë, të cilët theksuan se nuk ka prova të forta që mbështesin një lidhje të tillë. Edhe Agjencia Britanike e Barnave (MHRA) konfirmoi se nuk ekziston asnjë dëshmi që paracetamoli gjatë shtatzënisë shkakton autizëm tek fëmijët.
Prodhuesi i Tylenol, Kenvue, reagoi duke sqaruar se postimi i vitit 2017 ishte “i paplotë” dhe nuk përfaqësonte udhëzimet e plota mbi përdorimin e sigurt të ilaçit. Kompania theksoi se paracetamoli mbetet opsioni më i sigurt për dhimbje dhe temperaturë gjatë shtatzënisë, por gjithmonë me këshillën e mjekut.
Edhe në Britani, paketimet e paracetamolit mbajnë paralajmërime të ngjashme: ilaçi mund të përdoret vetëm nëse është i domosdoshëm, me dozën më të ulët dhe për kohën më të shkurtër të mundshme. Ekspertët shpjegojnë se arsyeja e këtyre paralajmërimeve është mungesa e provave nga testime të plota klinike mbi gratë shtatzëna, të cilat konsiderohen joetike. (A2 Televizion)