Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’u bashkohet liderëve europianë në bisedime që synojnë rritjen e trysnisë ndaj Presidentit amerikan Donald Trump për të mbajtur anën e Kievit në takimin e së premtes me Vladimir Putin.
Në një telefonatë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, udhëheqësit europianë pritet të ritheksojnë se asnjë vendim nuk duhet të merret pa Ukrainën, përfshirë ndryshimin e kufijve me forcë. Trump ka thënë se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë shkëmbim të disa territoreve dhe besohet se një prej kërkesave të Putinit është që Kievi të dorëzojë pjesë të territorit në rajonin lindor të Dobas, të cilat ende i kontrollon.
Të martën, Zelensky tha se një lëshim i tillë mund të përdoret si trampolinë për sulme të ardhshme të Rusisë, e cila ka siguruar fitore të reja territoriale. Trupat e Moskës, në një ofensivë verore, kanë përparuar me 10 km brenda një periudhe të shkurtër, pranë qytezës së Dobropillia.
Teksa minimizoi arritjet e Rusisë, Zelensky tha se ishte e qartë që objektivi i Moskës ishte të krijonte idenë se ata po fitonin dhe Ukraina po humbiste në prag të takimit me Trump.
Zelensky rikonfirmoi qëndrimin e tij se do të refuzonte çdo propozim për t’u larguar nga Donbasi, që përbëhet nga rajonet lindore të Luhansk dhe Donetsk.
Moska ka aktualisht kontrollin e plotë të Luhanskut dhe 70% të Donjeckut. Shtëpia e Bardhë tha të martën se të qenit në të njëjtën dhomë me Putinin do t’i jepte SHBA-së idenë më të mirë se si t’i jepte fund kësaj lufte. (A2 Televizion)