Udhëtimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në selinë e NATO-s këtë javë do të përfshijë ndalesa shtesë në Lindjen e Mesme.
"Pas Brukselit, Sekretari Blinken do të udhëtojë këtë javë në Shkup, Izrael, Bregun Perëndimor dhe Dubai," tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Siç bëhet e ditur, gjatë këtyre takimeve, Blinken do të "theksojë nevojën për të mbështetur rrjedhën e shtuar të ndihmës humanitare në Gaza, për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve dhe për të përmirësuar mbrojtjen për civilët në Gaza".
Sekretari amerikan i shtetit do të bisedojë gjithashtu me liderët për "të ardhmen e Gazës dhe nevojën për të krijuar një shtet të pavarur palestinez", tha zyrtari, duke shtuar se Blinken ka si synim që të sigurohet që përpjekjet për të parandaluar përhapjen e konfliktit të vijojnë. (A2 Televizion)