Të shtëna dhe panik në mes të ditës në Manhattan, në zemër të Nju Jorkut, në një rrokaqiell që strehon disa kompani financiare, përfshirë Blackstone, fondin më të madh spekulativ në botë.
Katër persona vdiqën, përfshirë një oficer i cili u plagos për vdekje në shpinë dhe vdiq pak pasi mbërriti në spital. Mediat amerikane bëjnë të ditur se autori i sulmit 27-vjeçari Shane Devon Tamura, nga Las Vegasi, i cili u vra gjithashtu. Motivi i tij është aktualisht i panjohur, shkruan A2 CNN.
E gjitha filloi rreth orës 6:00 pasdite sipas orës lokale brenda ndërtesës në 345 Park Avenue, midis rrugëve të 51-ta dhe 52-ta, një rrokaqiell gati 650 metra i lartë që shërben si qendër biznesi, ku ndodhen, ndër të tjera, Liga Kombëtare e Futbollit, firma e konsulencës financiare dhe e kontabilitetit KPMG dhe firma e pasurive të patundshme Rudin Management, Deutsche Bank. Zona është një destinacion i njohur turistik.
Siç tregojnë pamjet e CNN, një burrë i veshur me syze dielli, atlete, pantallona të zeza, një xhaketë blu dhe një këmishë blu të çelët ecën i qetë drejt hyrjes. Sipas NYP, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb. Në dorën e djathtë, ai mban një armë të gjatë sulmi pingul me këmbët e tij, që i ngjan një AR-15 ose AK-47, një nga më të përdorurat në të shtënat masive në Amerikë. Ai arrin të marrë ashensorin në katet e 32-të dhe të 33-të, duke vrarë të paktën katër persona. Zyrat e Rudin ndodhen gjithashtu në katin e 33-të, ku ai u gjet i vdekur. Ndoshta ai kishte një shënjestër specifike, që donte hakmarrje, por për momentin është vetëm spekulim, raporton A2 CNN.
Pas të shtënave të para, ndërtesa dhe ndërtesat fqinje u vunë nën bllokim, me njerëzit e mbetur të bllokuar brenda.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, lëshoi një paralajmërim në X, duke u bërë thirrje banorëve të Nju Jorkut të merrnin masat e nevojshme të sigurisë në afërsi dhe të mos largoheshin nëse ishin pranë Park Avenue dhe East 51st Street.
Brenda pak minutash, policia rrethoi rrokaqiellin, duke përdorur gjithashtu një helikopter dhe disa dronë. Por pak më vonë, Shefja e Policisë Jessica Tisch njoftoi në mediat sociale se "vendi i ngjarjes është kontrolluar dhe personi i vetëm që qëlloi është neutralizuar". Me sa duket, ai vdiq nga një plagë e vetëshkaktuar.
Bllokimi mbeti në fuqi për një kohë më të gjatë, kështu që njerëzit filluan të dilnin në grupe të vogla me duart lart. Një punonjës i Blackstone që punon në katin e 31-të, një kat më poshtë vendit ku ndodhën të shtënat, tha se punonjësit dëgjuan një shpërthim të fortë dhe një bum nga lart. Ata nuk i kushtuan vëmendje derisa morën një email që i informonte për praninë e një personi që qëllon në ndërtesë. Policia thuhet gjithashtu se ka gjetur makinën e lidhur me personin që qëllon, por nuk është e qartë nëse është përdorur për të udhëtuar nga Las Vegasi në Neë York City.
Megjithatë, është e pamundur të mbash një armë të gjatë në avion dhe e vështirë ta fshehësh një të tillë në autobus ose tren. (A2 Televizion)