Ishte Presidenti francez, Emmanuel Macron, ai që kërkoi të bisedonte në telefon me homologun rus Valdimir Putin pas një ndërprerje mbi 3-vjeçare të komunikimit mes të dyve.
Kremlini u kujdes ta theksojë diçka të tillë, ndërsa e cilësoi diskutimin e zhvilluar të martën mes të dyve si shumë thelbësore.
“Ishte iniciativë e palës franceze. Presidenti Putin e ka thënë vazhdimisht se është i gatshëm për dialog”, pohoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, të mërkurën. Në telefonatën 2-orëshe, e para që prej 2022-shit, kreu i Elizesë i kërkoi Putinit të pranojë një armëpushim në Ukrainë, ndërsa në fokus ishte edhe çështja e programit bërthamor të Iranit.
Sipas Pallatit Elize, Macron kishte theksuar mbështetjen e palëkundur të Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës: “Ai kërkoi arritjen e shpejtë të një armëpushimi dhe nisjen e negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme të konfliktit”.
Ndërkohë, Kremlini deklaroi pas bisedës se Putin i kishte kujtuar Macronit se lufta në Ukrainë është pasojë direkte e politikave perëndimore, duke paralajmëruar se çdo marrëveshje paqeje në Kiev duhet të jetë afatgjatë.
Sa i përket programit bërthamor të Iranit, të dy liderët u dakordësuan mbi nevojën për të zgjidhur krizën përmes mjeteve diplomatike. Si Moska, ashtu edhe Parisi, konfirmuan se dy presidentët kishin vendosur të koordinonin përpjekjet e për të biseduar sërish lidhur me çështjen. (A2 Televizion)