Izraeli është dakordësuar mbi kushtet e nevojshme për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Gaza. Është Presidenti amerikan që e jep një njoftim të tillë. Përmes një postimi në “Truth Social”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se gjatë armëpushimit të propozuar Shtetet e Bashkuara do të punojnë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës.
“Katari dhe Egjipti që kanë punuar shumë për të sjellë paqen do të paraqesin këtë propozim final. Shpresoj se Hamasi të pranojë ujdinë pasi ajo nuk do të bëhet më e mirë, por vetëm sa do të përkeqësohet”, u shpreh Trump, shkruan A2.
Izraeli nuk ka konfirmuar pranimin e kushteve të marrëveshjes, ndërsa Hamas tha përmes një përfaqësuesi se grupi është gati dhe me qëllime serioze për të arritur ujdinë. Por, ai theksoi se do të pranojë çdo iniciativë që çon drejt fundit të plotë të luftës.
Zhvillimi vjen para takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i parashikuar për javën e ardhshme, e ku Presidenti amerikan ka thënë se do të tregohet shumë i vendosur. Një ditë më herët, Trump ishte shprehur se besonte që Netanyahu donte t’i jepte fund luftimeve në Gaza.
Po ashtu, ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, tha për britaniken BBC se vendi i tij ishte absolutisht gati për armëpushim. Sipas tij, Hamasi po luante ashpër dhe nëse nuk do të ulej në tryezën e negociatave i vetmi ospion për të kthyer pengjet ishte presioni i shtuar ushtarak.
Ambasadori izraelit u takua të martën me të dërguarin e posaçëm të SHBA, Steve Wittkof, Sekretarin e Shtetit, Rubio dhe zv/presidentin JD Vance, mes trysnisë në rritje nga Trump për të bindur Netanjahun të pranojë armëpushimin.
Izraeli ka thënë se konflikti mund të përfundojë vetë kur Hamas të shkatërrohet plotësisht, ndërsa milicia që drejton Gazën ka kërkuar armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të trupave izraelite. (A2 Televizion)