Përmbyset autobusi me turistë në Nju Jork, dyshohet për disa të vdekur e dhjetëra të plagosur

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 21:46 | Bota

Përmbyset autobusi me turistë në Nju Jork, dyshohet për disa

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në shtetin e Nju Jorkut, ku një autobus turistik me rreth 50 pasagjerë është përmbysur në autostradën ndërshtetërore I-90, midis qyteteve Buffalo dhe Rochester, pranë daljes së Pembroke.

Autobusi ishte duke u kthyer nga një udhëtim turistik në Ujëvarat e Niagarës, kur për arsye ende të paqarta, doli nga rruga dhe u përmbys. Sipas autoriteteve lokale, në aksident u përfshi edhe një kamion me rimorkio.

Deri më tani, dyshohet për disa viktima mes të cilëve edhe fëmijë, por edhe dhjetëra të plagosur. Sipas policisë, disa nga pasagjerët janë nxjerrë me urgjencë nga rrënojat, ndërsa të tjerë mbetën të bllokuar. Shoferi i autobusit ka mbijetuar dhe aktualisht është nën kujdesin e mjekëve.

Gjendja e disa të plagosurve raportohen të jetë kritike, ndërsa numri i saktë i viktimave ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht. Dëshmitarë okularë kanë raportuar se disa pasagjerë u hodhën jashtë automjetit në momentin kur autobusi u përmbys.

Përmbyset autobusi me turistë në Nju Jork, dyshohet për disa

Shërbimet e urgjencës janë ende në vendngjarje duke vijuar operacionin e shpëtimit. Policia sakaq është në kontakt me kompaninë që zotëron automjetin, ndërsa po hetohen shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, reagoi pas ngjarjes duke e cilësuar aksidentin si “një tragjedi e rëndë që ka prekur shumë familje”. Ajo shprehu ngushëllimet për viktimat dhe tha se po monitoron nga afër situatën.

Në autobus ndodheshin turistë kryesisht me origjinë indiane, kineze dhe filipinase, të cilët ishin në një turne pranë kufirit SHBA-Kanada. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos