Shefat ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh evropiane të u paraqitën këshilltarëve të tyre të sigurisë kombëtare opsione për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Lajmi është bërë publik nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.
Kjo pasoi premtimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit sipas çdo marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës 3-vjeçare e gjysmë të Rusisë në Ukrainë.
Një deklaratë e Pentagonit thotë se planifikuesit amerikanë dhe evropianë kishin zhvilluar opsionet ushtarake për "shqyrtim të përshtatshëm" nga këshilltarët aleatë të sigurisë kombëtare. Shefat e mbrojtjes për Shtetet e Bashkuara, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Ukrainën u takuan në Uashington, D.C., midis të martës dhe të enjtes.
Një burim i njohur me çështjen tha se Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i cili shërben gjithashtu si këshilltar i sigurisë kombëtare i Trump, zhvilloi një konferencë telefonike të enjten me homologët e tij evropianë për të diskutuar opsionet.
Një zyrtar tjetër amerikan tha se Rubio foli me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Poëell, kreun e kabinetit të presidentit të Komisionit Evropian, Bjoern Seibert, shefin e stafit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Geoffrey van Leeuëen, dhe homologë të tjerë të sigurisë kombëtare në Francë, Itali, Gjermani dhe Finlandë.
Detajet përfundimtare duhet të përpunohen ende, tha burimi i njohur me çështjen, por vendet evropiane do të ofrojnë "pjesën e luanit" të çdo force të përfshirë në garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Kjo i bëri jehonë komentit të Zëvendëspresidentit JD Vance të mërkurën se Evropa do të duhet të marrë përsipër "pjesën e luanit" të kostove të operacionit. "Puna e planifikimit vazhdon", tha burimi, duke shtuar se Uashingtoni ende po "përcakton fushëveprimin e rolit të tij". Trump ka thënë se nuk do të vendosë trupa amerikane në Ukrainë, por e ka lënë derën hapur për përfshirje të tjera ushtarake amerikane, përfshirë mbështetjen ajrore.
Një mundësi ishte dërgimi i forcave evropiane në Ukrainë, por duke i vënë Shtetet e Bashkuara në krye të komandës dhe kontrollit të tyre, thanë burimet për Reuters. (A2 Televizion)