Sipas një raporti të medias amerikane, Wall Street Journal, Elon Musk me sa duket i ka pezulluar për momentin planet e tij për të themeluar një parti të re politike. Miliarderi dëshiron të përqendrohet te kompanitë e tij, raportoi Wall Street Journal ,duke cituar njerëz të njohur me planet.
Musk njoftoi formimin e "Partisë Amerikane" në korrik pas një mosmarrëveshjeje publike me Presidentin e SHBA-së Donald Trump mbi një projektligj për taksat dhe shpenzimet .Që atëherë, Musk u ka pranuar miqve të tij të besuar se themelimi i një partie do të dëmtonte marrëdhënien e tij me zëvendëspresidentin J.D. Vance.
Tesla dhe Shtëpia e Bardhë nuk i janë përgjigjur ende një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Reuters.
Drejtori ekzekutiv i prodhuesit të makinave elektrike Tesla dhuroi gati 300 milionë dollarë për fushatën presidenciale të vitit 2024 të Trump dhe republikanëve të tjerë. Vance, i cili kishte bërë thirrje për një armëpushim pas grindjes publike të Musk me Trump, riafirmoi qëndrimin e tij këtë muaj dhe tha se i kishte kërkuar Musk të kthehej në radhët e republikanëve.
Ndërkohë, kompania e tij ra në krizë: Tesla regjistroi shitjet e saj më të dobëta që nga viti 2022në tremujorin e parë të vitit 2025, me afërsisht 337,000 automjete të dorëzuara- një rënie prej 13 përqind nga viti në vit.
Sipas portalit "Tech Crunch", fitimi neto ra me 71 përqind gjatë së njëjtës periudhë, duke rënë në vetëm rreth 410 milionë dollarë. Trendi në rënie vazhdoi në tremujorin e dytë: Tesla dorëzoi 384,122 automjete, një tjetër rënie prej afërsisht 13 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Të ardhurat operative ranë me 42 përqind , nga 1.6 milion dollarë në 923 milion dollarë, ndërsa të ardhurat neto ranë me 16 përqind. (A2 Televizion)