OKB fut Izraelin dhe Rusinë në listën e zezë për dhunë seksuale në konflikte

Nga A2 CNN
29 Maj 2026, 23:24 | Bota

OKB fut Izraelin dhe Rusinë në listën e zezë për

Kombet e Bashkuara kanë përfshirë Izraelin dhe Rusinë në listën e zezë të vendeve dhe palëve të dyshuara për kryerjen e dhunës seksuale të lidhur me konfliktet, sipas raportit më të fundit të publikuar mbi këtë fenomen.

Raporti dokumenton raste të shumta të dhunës seksuale ndaj civilëve në zonat e konfliktit dhe thekson se gjatë vitit 2025 janë verifikuar incidente të shumta që përfshijnë përdhunime, tentativa përdhunimi, dhunë fizike në organet gjenitale, zhveshje të detyruar dhe forma të tjera abuzimi.

Sipas OKB-së, në Territoret e Pushtuara Palestineze janë dokumentuar raste të dhunës seksuale ndaj burrave, grave dhe fëmijëve, ku autorët e dyshuar përfshijnë forca të armatosura dhe të sigurisë izraelite. Incidentet raportohet se kanë ndodhur kryesisht gjatë ndalimeve, marrjeve në pyetje dhe operacioneve ushtarake.

Nga ana tjetër, raporti përmend edhe forcat ruse, duke evidentuar qindra raste të verifikuara të dhunës seksuale në Ukrainë. Sipas gjetjeve të OKB-së, viktimat përfshijnë burra, gra dhe vajza, ndërsa abuzimet e raportuara variojnë nga përdhunimet deri te torturat dhe dhuna fizike.

Përfshirja në listën e zezë nuk sjell automatikisht sanksione, por konsiderohet një goditje e rëndësishme për imazhin ndërkombëtar të vendeve të përfshira. Ministria e Jashtme e Izraelit reagoi ndaj raportit duke deklaruar se do të ndërpresë bashkëpunimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Raporti thekson gjithashtu se gjatë vitit të kaluar në mbarë botën janë regjistruar afro 10 mijë raste të dhunës seksuale të lidhura me konfliktet, më shumë se dyfishi i shifrës së një viti më parë. Sipas OKB-së, kjo tregon një përshkallëzim shqetësues të fenomenit dhe një klimë të vazhdueshme pandëshkueshmërie për autorët e këtyre krimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos