
Mbretëria e Bashkuar do të nisë përdorimin e inteligjencës artificiale për të vlerësuar moshën e azilkërkuesve, në një përpjekje për të identifikuar të rriturit që paraqiten si të mitur gjatë procedurave të azilit.
Nisma pritet të zbatohet nga viti i ardhshëm, por ka ngjallur kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe profesionistët e shërbimeve sociale.
Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, teknologjia e re do të analizojë fotografitë e marra gjatë procesit të regjistrimit të migrantëve, duke ndihmuar oficerët kufitarë të përcaktojnë nëse personat që deklarojnë se janë nën moshën 18-vjeçare janë në të vërtetë të rritur, shkruan A2CNN.
Sistemi është zhvilluar në kuadër të një kontrate me vlerë 322 mijë paund (rreth 432 mijë dollarë), e dhënë kompanisë së teknologjisë Akhter Computers. Autoritetet kanë bërë të ditur se teknologjia do t’i nënshtrohet testimeve të mëtejshme përpara se të vihet plotësisht në funksion në mesin e vitit 2027.
Qeveria britanike thekson se rezultatet paraprake kanë treguar “performancë dhe saktësi premtuese”, duke argumentuar se sistemi do të ndihmojë në parandalimin e abuzimeve me procedurat e azilit.
Ministri për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Alex Norris, deklaroi se disa migrantë të rritur kanë përfituar nga sistemi duke pretenduar në mënyrë të rreme se janë të mitur, çka sipas tij ka ndikuar në shpërndarjen e burimeve dhe mbështetjes për fëmijët që kanë realisht nevojë për mbrojtje.
Testimet në terren pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm në qendrën e përpunimit Western Jet Foil në Dover. Aktualisht, zyrtarët kryejnë vlerësime të moshës duke u bazuar në dokumentacionin e paraqitur, pamjen fizike dhe intervistat individuale. (A2 Televizion)