“Kjo është politikë, nuk është drejtësi”, 41 muaj burg për Thaçin, Smakajn e Fazliun. Një muaj për Kuçin

Nga Erjon Dervishi
17 Nëntor 2026, 15:17 | Politikë

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë, duke e dënuar me 17 muaj burg.

Aktgjykimi është shpallur sot, nga gjykatësi Christopher Gosnell, në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai është shpallur fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, përmes veprimit të përbashkët, për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Thaçi, ka reaguar në sallën e gjyqit në Hagë pas shpalljes së dënimit të tij. Thaçi ka tentuar të marrë fjalën, por nuk i është dhënë mundësia të flasë. Megjithatë, në momentin kur është ulur, ai është dëgjuar duke shprehur pakënaqësinë me vendimin e gjykatës. “Kjo është politikë, nuk është drejtësi”, tha ai. 

Në të njëjtin rast, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim. Megjithatë, të dy do të lirohen pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ua mbulon dënimin, shkruan A2.

Ndërkaq, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për akuzat ndaj tij dhe gjyqtari ka urdhëruar lirimin e tij pas përfundimit të seancës.

Ndërsa Hajredin Kuçit i është shqiptuar një muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.

Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në të cilin Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dënuar me 81 vite burg në total. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos