Fond inovacioni në 2027. Qeveria, instrument të ri financimi për startup-et

Nga Marjo Brakaj
17 Nëntor 2026, 15:40 | Ekonomi

Shqipëria do të ketë një “Fond Inovacioni” nga viti i ardhshëm. Instrument i ri i financimit për sipërmarrjet e reja u njoftua nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në Konferencën Rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”.

“Ky do të jetë një tjetër instrument financimi, i cili ekziston në vende të tjera, por që deri më sot nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri. Do të punojmë për krijimin e tij në bashkëpunim me partnerët tanë. Ky instrument është pjesë e treguesve të reformës në kuadër të Instrumentit të Reformave dhe Rritjes dhe synimi është që gjatë vitit 2027 ta kemi të ngritur këtë mekanizëm të ri inovativ financimi”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Një tjetër zhvillim që pritet të marrë jetë gjatë vitit 2027 është hapja e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë mundësi për edukim dhe zhvillim të aftësive për sipërmarrësit në të gjithë Shqipërinë, shkruan A2 CNN.

“Është e rëndësishme që sipërmarrësit e rinj të kenë jo vetëm ide dhe ambicie, por edhe mundësitë konkrete për t'i kthyer ato në biznese funksionale. Ne besojmë se investimi te aftësitë, edukimi dhe krijimi i një mjedisi mbështetës janë thelbësore për zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të inovacionit. Për këtë arsye, mbështetja e sipërmarrjes dhe e të rinjve që sjellin ide të reja mbetet një drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë”, tha Erik Illes, Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë.

Duke vënë theksin te dimensioni rajonal, shefja e  Bashkëpunimit në Delegacionin e BE. në Tiranë nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për ndarjen e përvojave, ndërthurjen e kapaciteteve dhe krijimin e projekteve të përbashkëta.

“Bashkëpunimi rajonal krijon mundësi që idetë të mos mbeten të kufizuara brenda tregjeve kombëtare, por të zhvillohen në iniciativa me shtrirje më të gjerë. Kjo kërkon më shumë ndërveprim mes sipërmarrësve, institucioneve kërkimore dhe sektorit privat”, tha Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE.

Java Globale e Sipërmarrjes zhvillohet në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, me rreth 40 aktivitete që synojnë të nxisin kulturën sipërmarrëse, të promovojnë inovacionin dhe të krijojnë ura bashkëpunimi mes sipërmarrësve, investitorëve, institucioneve dhe aktorëve të ekosistemit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos