Mjedisi/ Sfida e integrimit në BE, 3.2 miliardë lekë buxhet për 2027

Nga Marjo Brakaj
17 Nëntor 2026, 15:06 | Ekonomi

Mjedisi është kapitulli më sfidues në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbrojtja e tij është testi që vendi ende duhet të kalojë.

Për të menaxhuar mbetjet, mbrojtur pyjet, administruar cilësinë e ajrit, ujërave apo zhurmave, Ministria e Mjedisit vitin e ardhshëm do të ketë në dispozicion pak më shumë se 3.2 miliardë lekë. Në raport me 2026-n, fondi në dispozicion rritet me rreth 280 milionë lekë, shkruan A2.

Elda Xhumari, zëvendësministre e Mjedisit, tha për A2CNN: “Buxheti prej 3.23 miliard lekë i ministrisë së Mjedisit mbështet transformimin e infrastrukturës mjedisore, me investime konkrete në menaxhimin e mbetjeve, zonat e mbrojtura dhe rehabilitimin e territoreve. Një nga prioritetet kryesore të buxhetit të vitit 2027 është zhvillimi i infrastrukturës mjedisore, duke kaluar nga ndërhyrjet e pjesshme drejt zgjidhjeve të integruara dhe afatgjata. Në këtë drejtim, një vëmendje të veçantë zë reforma e menaxhimit të mbetjeve urbane”.

Pjesa më e madhe e parave, mbi 1.1 miliardë lekë shkojnë për mbrojtjen e mjedisit, ndjekur nga administrimi i pyjeve me gati 823 milionë lekë dhe menaxhimi i mbetjeve me rreth 740 milionë lekë. Në fokus është veçanërisht cilësia e ajrit. 

“Një nga investimet kryesore është zgjerimi i Rrjetit të monitorimit të cilësisë së Ajrit, përmes blerjes së stacioneve të reja të monitorimit. Për këtë projekt janë parashikuar 200 milionë lekë për vitin 2027, ndërsa vlera e përgjithshme e investimit për periudhën 2026-2028 arrin në 500 milionë lekë. Synimi është zgjerimi i rrjetit me të paktën 10 stacione të reja, duke mundësuar një mbulim më të gjerë të territorit dhe identifikimin më të saktë të zonave problematike”, tha Xhumari.

Për vitin 2027 janë planifikuar 20 milionë lekë për pajisje dhe ngritjen e Rrjetit Kombëtar të Monitorimit të Zhurmës: “Objektivi është kalimi drejt një sistemi të automatizuar dhe të integruar, që mundëson monitorim të vazhdueshëm, administrim të të dhënave dhe raportim sipas standardeve të Bashkimit Evropian”.

Një pjesë e parave nga buxheti 3.2 miliardë lekësh shkojnë për Qendrën Multifunksionale në Luginën e Vjosës. Vepra synon të shërbejë si një model për turizmin ekologjik, edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit përreth Parkut Kombëtar të Vjosës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos