“Buxheti më antipopullor”, Berisha fton shqiptarët në protestë: Në 28 Nëntor të nderojmë flamurin

Nga Anesti Barjamemaj
17 Nëntor 2026, 15:12 | Politikë

Buxhet antipopullor që godet bizneset dhe investimet e huaja, kështu e cilëson Sali Berisha projektligjin më të rëndësishëm të vitit që pritet të miratohet  në parim në seancën e së mërkurës.

Duke deklaruar votën kundër, lideri demokrat tregoi para deputetëve se përse duhet të mbajnë këtë qëndrim. “Ky buxhet, në kundërshtim me përcaktimet e qarta ligjore, ka shkelur çdo lloj afati të parashikuar për konsultime publike”, përcjell A2 CNN.

Duke u ndalur edhe te paketa fiskale, ai tregoi edhe elementët që shtojnë kostot për biznesin, duke paralajmëruar pasoja negative për të gjithë. “Ka dyfishuar taksën e dividentit. Çfarë do të thotë kjo? Thirrje publike për bizneset që të largohen nga Shqipëria. Vende të tëra nuk kanë fare taksë për dividentin. Vendet përreth e kanë shumë më të ulët”.

Uljen e TVSH për ushqimet e shportës dhe rritjen e TVSH-së për produktet e tjera Berisha e konsideron si goditje për shtresat në nevojë, ndaj i fton të gjithë shqiptarët që të dalin në protestë në 28 Nëntor. “Nuk ka nder më të madh për flamurin kombëtar të këtij vendi se sa një protestë e fuqishme e paparë ndonjëherë nga shqiptarët ndaj këtij regjimi, ndaj këtij Padrinoje”.

Jo vetëm për buxhetin, por Berisha thotë se në ditën e flamurit duhet protestuar edhe për dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos