“Gjoni” i vjen në ndihmë “Diellës”, Rama: Sistem i ri i prokurimesh, jemi më mirë se 21 vende të BE

Nga Indrit Maraku
17 Nëntor 2026, 15:23 | Politikë

Shqipëria bëhet gati të aplikojë një sistem të ri të prokurimeve publike të përqendruara, bazuar në inteligjencën artificiale, që, sipas autoriteteve, do të shmangë gabimet dhe do të lehtësojë procedurat burokratike.

“Do të kalojë nga Diella, nga një dosje virtuale e çdo biznesi, ku mbi 40 regjistra publikë do të jenë aty për t'u hapur me një klik të vetëm dhe për të bërë të gjithë punën që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz dhe duke konsumuar kohë”, tha kryeministri Edi Rama, përcjell A2 CNN.

Në ndihmë të Diellës do të vijë Goni, kolegu i saj virtual, ende në trajnim e sipër, që do të angazhohet për aspekte shumë specifike të prokurimeve. “Kur Diella, bashkë me Gjonin, do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj që do të fillojë të krijohet edhe bindja se ka fitues me të drejtë dhe humbës me meritë”, tha Rama.

Në prezantimin e nismës, kryeministri u ndal gjatë te perceptimi, sipas tij i gabuar, që mbizotëron në vend sa i përket prokurimeve, ndaj iu kthye krahasimeve në kohë me paraardhësin. “Në vitin 2012, procedurat pa shpallje paraprake ishin 31% e totalit të procedurave. Në vitin që lamë pas, ato ishin vetëm 2,4%”.

Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si vendi më i avancuar në rajon sa i përket prokurimeve, pohoi Rama. Por as krahasimi me fqinjët nuk i mjaftoi. “Tymnaja e madhe për indikatorin e tenderave pa garë zhbëhet plotësisht po të shohësh se Shqipëria është më mirë se 21 vende të Bashkimit Europian”.

Lidhur me prokurimet me inteligjencë artificiale, kryeministri garantoi se vendimi final do të merret nga njerëzit, ndërsa i gjithë procesi do të jetë i verifikueshëm në rast kontestimesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos