
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se vendet anëtare të BE-së do të diskutojnë se çfarë mund të bëhet nga pala evropiane për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.
“Është në interesin tonë ta mbajmë të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe për këtë arsye po diskutojmë edhe se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim nga ana evropiane”, tha ajo, duke folur me gazetarët përpara një takimi të BE-së për çështjet e jashtme në Bruksel.
Duke folur të dielën, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul shprehu skepticizëm rreth planeve, duke thënë se vendi i tij dëshiron të shmangë luajtjen e një “roli aktiv” në konflikt. Mediat ndërkombëtare sugjerojnë se vendet e BE-së nuk pritet të jenë aktive në Hormuz, ndërkohë që lufta në Lindjen e Mesme vazhdon, për të shmangur kësisoj përfshirjen në konflikt.
Trump ka bërë thirrje për një koalicion ndërkombëtar detar që do të shoqëronte anijet tregtare përmes Ngushticës, një arterie detare kritike që ka qenë nën një bllokadë de facto që nga fillimi i luftës me Iranin, duke shkaktuar një tronditje globale të furnizimit me energji, rritje të çmimeve dhe paqëndrueshmëri ekonomike.
Trump i tha Financial Times se do të ishte "shumë keq për të ardhmen e NATO-s" nëse aleatët evropianë nuk do t'i përgjigjeshin thirrjes së tij. (A2 Televizion)