Dy anëtarë të ekuipazhit të një avioni të Ryanair u plagosën pasi u përfshinë nga turbulenca të forta gjatë një fluturimi nga Vitoria në veri të Spanjës drejt Majorkës, të dielën pasdite. Incidenti ndodhi në momentin kur avioni po përgatitej të ulej në Palma, ndërsa ishulli turistik përfshihej nga stuhi të fuqishme.
Sipas mediave lokale, ekuipazhi po kryente kontrollet e sigurisë kur avioni u trondit papritur. Një prej stjuardesave u përplas me tavanin e kabinës, ndërsa një tjetër u godit nga karroca e shërbimit. Në bord ndodheshin 180 pasagjerë, të cilët mbetën të tronditur nga lëkundjet e forta. Menjëherë pas uljes, në aeroport u dërgua një ambulancë për të ndihmuar personelin e plagosur, shkruan A2 CNN.
Ky nuk është rasti i parë i ngjashëm. Vetëm disa muaj më parë, në një fluturim të Ryanair nga Berlini në Milano, nëntë persona mbetën të lënduar nga turbulenca ekstreme, duke detyruar avionin të kryente ulje emergjente. Pasagjerët raportuan skena paniku, me njerëz që u hodhën nga ulëset e tyre dhe u përplasën në tavanin e kabinës.
Ngjarje të tilla janë shënuar edhe në kompani të tjera ajrore. Në mars, një fluturim i United Express në Teksas u detyrua të bënte ulje emergjente pas plagosjes së pesë pasagjerëve, ndërsa në nëntor turbulenca e fuqishme detyroi një avion të Scandinavian Airlines të kthehej nga Atlantiku pas tronditjes së dhunshme mbi Grenlandë. (A2 Televizion)