Dy gra somaleze humbën jetën të shtunën në mëngjes, pasi tentuan të kalonin Kanalin Anglez me një varkë të improvizuar, bëjnë të ditur autoritetet franceze për agjencinë e lajmeve AFP. Ngjarja ndodhi gjatë natës në brigjet e veriut të Francës, kur rreth 100 persona u nisën me shpresën për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas zyrtares franceze Isabelle Fradin-Thirode, 60 persona u shpëtuan dhe aktualisht po marrin ndihmën e nevojshme nga shërbimet e mbrojtjes civile. Një çift me fëmijën e tyre, të cilët vuanin nga hipotermia e moderuar, u transportuan menjëherë në spitalin e Boulogne.
Sipas gazetës franceze La Voix du Nord, viktimat ishin të dyja gra nga Somalia.
Të paktën 25 persona kanë humbur jetën deri tani këtë vit gjatë përpjekjeve për të kaluar Kanalin me varka të vogla. Vitin e kaluar, numri i viktimave ishte 50, sipas të dhënave të rojës bregdetare franceze.
Në përpjekje për të frenuar kalimet ilegale, Franca dhe Britania kanë nënshkruar një marrëveshje të re “një për një”, ku për çdo emigrant të kthyer në Francë, një tjetër me rast të fortë azili do të pranohet në Britani. (A2 Televizion)