
Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur zonën e Pietralatas, në periferi të Romës. Një çift, 42-vjeçari Luca Ambasciano dhe 41-vjeçarja Valentina Pambianco, si dhe vajza e tyre 5-vjeçare, e cila ishte me aftësi të kufizuar dhe kërkonte kujdes të vazhdueshëm, janë gjetur të pajetë në banesën e tyre.
Ngjarja u zbulua pasditen e së hënës, pasi një familjar i shqetësuar që nuk arrinte të kontaktonte me ta, kërkoi ndihmën e autoriteteve. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve në apartament, policia gjeti trupat e tre anëtarëve të familjes në dhomën e gjumit, me plagë të shkaktuara nga të shtënat me armë zjarri. Në të njëjtën dhomë u gjet i pajetë edhe qeni i familjes. Arma rezultoi e regjistruar dhe e mbajtur në mënyrë të ligjshme, shkruan A2.
Hetimet e para të karabinierëve po përqendrohen në hipotezën e një drame të rëndë familjare, konkretisht të një vrasjeje të dyfishtë të ndjekur nga vetëvrasja, shkruan A2. Në banesë janë gjetur edhe disa shënime të shkruara nga të dy prindërit. Sipas informacioneve paraprake, në to shprehej vështirësia e çiftit për t'u përballur i vetëm me nevojat e vajzës dhe ndjenja e izolimit që kishte përfshirë familjen. Mesazhet përmblidhen me frazën: “Të vetëm nuk ia dalim dot.”
Hetuesit po verifikojnë nëse akti ka qenë i planifikuar dhe i kryer me marrëveshje mes dy prindërve.
Familja kishte marrë edhe mbështetje ekonomike. Nga komuna bëhet e ditur se familja ishte e ndjekur nga shërbimet sociale dhe vajza kishte frekuentuar një nga çerdhet e zonës. Gjatë vitit të fundit, prindërit kishin vendosur që ta përballonin situatën e vajzës në shtëpi, ndërsa nëna kishte lënë punën për t'iu përkushtuar tërësisht kujdesit ndaj saj.
Përfaqësuesit e bashkisë kanë shprehur tronditjen e tyre, duke theksuar se, pavarësisht mbështetjes së shërbimeve sociale, barra e situates familjare dhe ndjenja e vetmisë duket se kanë qenë shumë të rënda për familjen.
Fqinjët janë shprehur të tronditur nga ngjarja, duke e përshkruar çiftin si shumë të lidhur me vajzën e tyre. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi. (A2 Televizion)