Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka njoftuar largimin nga kjo detyrë, vetëm pak ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj i hoqi delegimin për drejtimin e kryeqytetit.
“Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë. Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër, por të gjatë, të sheshit “Skënderbej”, që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep”, shkruan Ristani në Facebook.
Në tekstin e shkurtër me të cilin shoqëroi njoftimin e largimit të saj si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka shmangur çdo referencë për marrëdhënien e saj me qytetarin e parë të Tiranës, i cili prej shkurtit 2025 mbahet në arrest me burg. Gjykimin, Ristani thotë se ia lë kohës.
“Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën. Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin dhe ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë”, shkruan Ristani.
Më 28 gusht, Veliaj firmosi nga qelia e burgut në Durrës largimin e Anuela Ristanit si kryebashkiake e komanduar, pa deleguar te dikush tjetër funksionet. Në vendim thuhet se një nga arsyet lidhet edhe me moszbatimin dhe refuzimin nga Ristani të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit Veliaj. (A2 Televizion)