34 persona u arrestuan pas nja nate të jashtëzakonshme dhune në Dublin, e cila pasoi një sulm me thikë në qendër të qytetit, ku u plagosën të paktën 4 vetë. Siç bëri të ditur shefi i policisë Dreë Harris mbi 13 dyqane u dëmtuan ose u plaçkitën, ndërsa u shkatërruan një sërë automjetesh policore dhe 3 autobusë.
Një polic mbeti i plagosur rëndë gjatë përleshjeve dhe shumë të tjerë morën lëndime më të lehta. Autoritetet fajësuan për trazirat më të rënda në dekada, ato që i quajtën grupe huligane të udhëhequra nga ideologjia e së djathtës ekstreme.
Më herët, policia bëri të ditur se një 5-vjeçare është në gjendje të rëndë pas sulmit me thikë jashtë një shkolle, ku u plagosën gjithashtu dy fëmijë të tjerë të moshave 5 dhe 6-vjeçare dhe një grua në të 30-t që besohet të ketë qenë mësuesja e tyre.
Autori i dyshuar është bllokuar dhe plagosur nga kalimtaret dhe sipas raportimeve në media mund të jetë emigrant algjerian. Përfshirja e një emigranti të mundshëm nxiti zemërimin dhe trazirat e dhunshme, me turmën që u përlesh me policinë, i vuri zjarrin automjeteve, sulmoi dhe plaçkiti dyqanet.
Manifestuesit e maskuar mbanin në duar pankarta me shkrimin, jetët irlandeze kanë rëndësi. Policia tha nuk përjashton asnjë pistë lidhur me ngjarjen, nga ajo terroriste e deri tek akti i një personi me çrregullime mendore. (A2 Televizion)