
Sytë e të gjithë botës janë drejtuar nga Shenzheni i Kinës, ku për herë të parë në histori do të takohen udhëheqësit e tri superfuqive: Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin, në kuadër të samitit të APEC-ut.
Në një thyerje të protokollit, presidenti kinez e priti personalisht në aeroport homologun e tij amerikan, me të cilin shtrëngoi duart dhe shkëmbeu një përqafim të ngrohtë. Një tapet i kuq ishte shtruar përpara avionit presidencial Air Force One, ndërsa nuk munguan turmat brohoritëse, nderimet ushtarake dhe lulet.
Më pas, Donald Trump u takua me presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë pas më shumë se një viti. Me homologun rus, Trump pritet të zhvillojë edhe bisedime kokë më kokë, ku një nga temat kryesore mund të jetë lufta në Ukrainë.
Në fjalimet e mbajtura në nisje të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, Xi Jinping u zotua të mbrojë atë që e cilësoi si tregti të hapur dhe të lirë, ndërsa homologu i tij rus, Vladimir Putin, kritikoi sanksionet perëndimore.
Xi Jinping:“Në takimin e nesërm të liderëve, do të diskutojmë mënyrat se si mund t’i hapim më tej ekonomitë tona ndaj njëra-tjetrës, të shqyrtojmë mundësitë për të nxitur rritjen ekonomike përmes inovacionit dhe të identifikojmë mundësi të reja për bashkëpunim konkret në një sërë sektorësh.”
Vladimir Putin:“Gjithashtu, pres përfitime të mëdha potenciale nga takimi i ardhshëm trepalësh mes liderëve të Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, i cili është planifikuar të zhvillohet në kuadër të samitit të APEC-ut. Dëshiroj të theksoj se, duke pasur parasysh ndërvarësinë e ngushtë mes ekonomive, vendosja e barrierave artificiale në cilëndo hallkë të zinxhirit të vlerës sjell kosto për të gjitha hallkat e tjera. Pikërisht këtë po shohim në vendet që kanë vendosur vetë në mënyrë aktive sanksione kundër Rusisë apo masa të tjera kufizuese.”
Takimi trepalësh mes Trump, Putin dhe Xi Jinping ka nxitur shqetësim te liderët europianë, veçanërisht te presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa janë bërë paralelizma me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara u takuan për të diskutuar riorganizimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore dhe përcaktimin e sferave të influencës.
Përveç luftës në Ukrainë, në tryezën e diskutimeve pritet të jenë edhe tema të tjera me rëndësi globale, si tregtia, inteligjenca artificiale dhe armët bërthamore.
Kremlini i hodhi poshtë këtë javë krahasimet me Konferencën e Jaltës, duke i cilësuar ato si “lojëra të politologëve”, por theksoi se takimi do të ketë një ndikim të madh në zhvillimet globale. Ndërkohë, Pekini deklaroi se takimi trepalësh do të kontribuojë në promovimin e paqes në botë. (A2 Televizion)