
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shmangën përballjen në të njëjtën sallë gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2027 në Kuvend. Secili prej tyre zgjodhi të mbajë qëndrimin e vet politik, ndërsa shkëmbimi i akuzave dhe ironive nuk mungoi, pavarësisht mungesës së një përballjeje të drejtpërdrejtë.
Rama prezantoi për afro 50 minuta buxhetin prej rreth 10 miliardë eurosh dhe paketën fiskale për vitin 2027, në mungesë të deputetëve demokratë, të cilët braktisën sallën në mënyrë simbolike. Sipas kryeministrit, ky është një buxhet në standardin e një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, Rama pranoi se kostoja e jetesës dhe niveli i pensioneve mbeten ende problematike, por tha se në vitin e ardhshëm vëmendja e qeverisë do të përqendrohet te shtresat më në nevojë. Nga ana tjetër, opozita e akuzoi mazhorancën se buxheti nuk u shërben qytetarëve, por aferave korruptive.
Kryeministri e cilësoi uljen e TVSH-së për disa produkte bazë si një nga masat në ndihmë të familjeve në nevojë, ndërsa Berisha kundërshtoi politikat ekonomike të qeverisë.
Në një kohë kur studentët protestojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama njoftoi edhe një fond shtesë për bursat e familjeve në nevojë.
Një tjetër temë ku palët patën qëndrime të kundërta ishte rindërtimi në Tiranë. Opozita akuzoi qeverinë se po e përdor këtë proces për interesa elektorale, ndërsa Rama i hodhi poshtë pretendimet. Kryeministri foli gjithashtu për programin e strehimit, duke e cilësuar atë një mundësi për të ndihmuar të rinjtë, ndërsa Berisha e akuzoi për largimin e qytetarëve nga Shqipëria.
Protestën kundër tij Rama e cilësoi normale, ndërsa protestat e opozitës i konsideroi anomali. Në përgjigje, Berisha bëri thirrje për bashkimin e forcave në protestën e paralajmëruar më 28 nëntor.
Përplasja politike u zhvendos edhe te zgjedhjet e 9 majit, ku Tirana pritet të jetë një nga sfidat kryesore elektorale. Berisha, ndërsa Rama fliste në Kuvend, paralajmëroi humbjen e kryeministrit. Përgjigjja e këtij të fundit erdhi nga foltorja e Parlamentit, me një tjetër deklaratë ironike ndaj opozitës.
Berisha: “Do ta mund”.
Rama: “Do ju japin ujë me bisht të lugës në 9 maj”.
Në përfundim të fjalës së Ramës, deputetët socialistë e duartrokitën, ndërsa demokratët u rikthyen në sallë. Këtë herë ishte kryeministri që u largua nga Kuvendi, duke mos qenë i pranishëm gjatë fjalës së Berishës.
Berisha: “Padriono ja mbathi”.
Kështu, diskutimi i buxhetit të vitit 2027 u shoqërua me qëndrime të kundërta të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa Rama dhe Berisha vijuan përplasjen politike në distancë, pa u përballur drejtpërdrejt në sallën e Kuvendit. (A2 Televizion)