
19 muaj pas operacionit të koduar “Ura” ku njëkohësisht në Itali e Shqipëri u arrestuan 42 persona dhe 10 të tjerë u shpallën në kërkim, SPAK kërkon të godasë themelet financiare të anëtarëve të dyshuar të grupit.
Struktura e Posaçme i kërkon gjykatës të konfiskojë 32 pasuri të patundshme e të tundshme të të dyshuarve në mbarë vendin. Mes tyre, pasuri të Adi Çobës e Ervin Zeqirit, të dyshuar nga SPAK si pjesë e rrjetit të të shpallurit në kërkim, Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”.
Në çmimin aktual të tregut, pasurit që SPAK kërkon t’i kalojnë shtetit kapin vlerën e 9.1 mln eurove. Sipas SPAK, pasuritë e identifikuara në emër të të dyshuarve, familjarëve të tyre, apo të personave të lidhur me ta, që nuk justifikoheshin në burime të ligjshme. Në total, kërkohet konfiskimi i 24 pasurive të paluajtshme, ku dominojnë apartamentet, 9 të tillë, njësitë tregtare dhe tokat në Durrës.
Në Vlorë kërkohet të konfiskohen dy vende parkimi të sekuestruara. Pjesë e ‘listës” së pasurive të kërkuara nga SPAK janë 3 automjete luksoze, dy BMË dhe një Mercedes, si edhe kuota në katër shoqëri tregtare dhe një biznes privat.
SPAK njoftoi se ka ndarë çështjen dhe ka lënë të hapur një hetim për të verifikuar mundësinë e pasurive të tjera të të dyshuarve. Përveç këtyre pasurive, gati 4 milionë euro të sekuestruara cash dhe disa prona të dyshuara si të krijuara nga trafiku i drogës, janë në shqyrtim në procesin penal ndaj disa 24 prej të pandehurve të dërguar për gjykim, të cilët janë të akuzuar edhe për “pastrim të parave”. (A2 Televizion)