Tronditet Bejruti, raketat izraelite godasin banesat e civilëve

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2024, 16:20 | Bota

Tronditet Bejruti, raketat izraelite godasin banesat e civilëve

Për qytetarët e Libanit, kjo mund të quhet e premtja e zezë. Ushtria izraelite kreu disa sulme në periferinë jugore të Bejrutit, dy prej të cilave kishin në shënjestër lagjen Hadath, afër fshatit Kafaat.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat ndërkombëtare. Më parë ushtria izraelite kishte hedhur nga ajri disa urdhra evakuimi nga zona për civilët e Libanit. Pamjet e Reuters nga qyteti Baabda shfaqin raketat të cilat shkatërrojnë banesat civile.

Raportohet se më shumë sulme izraelite në periferitë jugore të Bejrutit kanë ndodhur herët në mëngjesin e së premtes, me re të dendura tymi që ngriheshin pas shpërthimeve.

Ndërkohë banorët e kryeqytetit libanez shprehen të pakënaqur për perspektivat e një armëpushimi të afërt me Izraelin, një ditë pasi sulmet izraelite goditën vende të ndryshme anembanë vendit.

Banorët vendas shprehen pesimist për të ardhmen por shpresojnë për një armëpushim gjatë administratës së re të Donald Trump. Për banorët e Libanit, fajtor është shteti i Izraelit. 

Ndërmjetësi i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Israel Katz në përpjekje për të çuar përpara bisedimet e armëpushimit të enjten e 21 nëntorit.

Nga takimi nuk ka pasur deklarata për mediat. Të paktën 47 persona u vranë dhe 22 u plagosën në sulmet izraelite në rajonin Baalbek gjatë 24 orëve të fundit.

Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i  provincës Baalbek-Hermel të Libanit. Rajoni që kufizohet me Sirinë është një zonë e Libanit  ku sundon Hezbollahu islamik shiit.

Sulmet ajrore izraelite tronditën gjithashtu periferitë jugore të Bejrutit të kontrolluara nga Hezbollahu rreth një duzinë herë në të njëjtën ditë dhe shpërthime të reja goditën zonën të premten në mëngjes.

Banorët janë larguar kryesisht nga zona që kur Izraeli shkoi në ofensivë kundër Hezbollahut në shtator.

Izraeli thotë se qëllimi i tij është të sigurojë kthimin në shtëpi të dhjetëra mijëra njerëzve të evakuuar nga veriu i tij për shkak të sulmeve me raketa nga Hezbollahu, i cili hapi zjarr në mbështetje të Hamasit në fillimin e luftës në Gaza në tetor 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos