Trump bën ndryshime në ekipin e tij të ngushtë

Nga A2 CNN
2 Maj 2025, 12:07 | Bota

Trump bën ndryshime në ekipin e tij të ngushtë

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka larguar këshilltarin e tij për siguri kombëtare, Mike Waltz, dhe e ka emëruar sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, si zëvendësim të përkohshëm në këtë post. Ky është ndryshimi i parë në ekipin e ngushtë të Trumpit, që kur ai mori mandatin e dytë presidencial në janar.

Trump shkroi në rrjetet sociale se do ta nominojë Walzin në postin e ambasadorit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, duke shtuar se “ai ka punuar shumë për të vendosur në rend të parë interesat e shtetit tonë”.

Sekretari Rubio është personi i parë që do të mbajë dy poste, që nga Henry Kissinger, i cili në vitet ’70 kishte mbajtur njëkohësisht postin e sekretarit të Shtetit dhe të këshilltarit për siguri kombëtare.

“Kur kam ndonjë problem, e thërras Marcon. Ai e zgjidh problemin”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë gjatë së enjtes.

Për largimin e Waltzin kishte pasur thashetheme për javë të tëra, që kur ai krijoi një grup në Signal dhe gabimisht e futi në atë grup një gazetar, teksa aty zyrtarët më të lartë amerikanë të sigurisë ndan plane të ndjeshme ushtarake. Redaktori i revistës The Atlantic më pas raportoi për bisedimet që ishin zhvilluar në këtë grup, duke përshkruar detajet e një sulmi amerikan në Jemen.

Posti i këshilltarit për siguri kombëtare është një post që nuk kërkon konfirmimin në Senatin amerikan. Gjatë mandatit të parë presidencial, Trump kishte pasur katër këshilltarë të sigurisë kombëtare: Michael Flynn, H.R. McMaster, John Bolton dhe Robert O'Brien.

Largimi i Waltzit vjen në kohën kur brenda ekipit të sigurisë kombëtare të SHBA-së ka pasur lëvizje. Që nga 1 prilli, të paktën 20 anëtarë të stafit të Këshillit kombëtar të Sigurisë së SHBA-së (NSC) janë larguar nga puna, është larguar drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare si dhe tre të emëruar politikë në Pentagon.

NSC-ja është institucioni kryesor që presidentët përdorin për të koordinuar strategjinë e sigurisë dhe stafi i këtij këshilli zakonisht merr vendime të rëndësishme sa i përket qasjes së SHBA-së ndaj konflikteve në botë. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos