Trump dhe Orban diskutojnë për sanksionet ndaj Rusisë

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2025, 21:38 | Bota

Trump dhe Orban diskutojnë për sanksionet ndaj Rusisë

Trump premtoi se do të shqyrtojë mundësinë që Hungaria të përjashtohet nga detyrimi për të vazhduar sanksionet lidhur me gazin dhe naftën ruse.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti sot në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin hungarez Viktor Orban. Ky ishte takimi i tyre i parë dypalësh që kur Trump u rikthye në pushtet në janar. Trump premtoi se do të shqyrtojë mundësinë që Hungaria të përjashtohet nga detyrimi për të vazhduar sanksionet lidhur me naftën ruse.

"Ne po e shqyrtojmë këtë, sepse për Hungarinë është shumë e vështirë që të marrë naftë dhe gaz nga zona të tjera. Siç e dini, hungarezët nuk kanë avantazhin e të pasurit det", tha Trumpi.

Orban kishte deklaruar para takimit se do t'i shpjegonte Trumpit "cilat do të ishin pasojat për popullin hungarez dhe për ekonominë hungareze nëse nuk do të merrte naftë dhe gaz nga Rusia".

"Ne furnizohemi nga tubacionet. Tubacioni nuk është çështje ideologjike apo politike. Është një realitet fizik, sepse nuk kemi porte", tha Orban.

Trump: Thirrje Evropës të "respektojë” Hungarinë

Trump tha se udhëheqësit e Bashkimit Evropian duhet të tregojnë më shumë respekt ndaj Orbanit, i cili nuk ndjek linjën e tyre për çështjen e migracionit.

"Mendoj se ata duhet ta respektojnë Hungarinë dhe ta respektojnë shumë, shumë fuqishëm këtë udhëheqës sepse ai ka pasur të drejtë për migracionin", tha Trump.

Veç bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe të tregtisë temë e takimit ishte dhe lufta në Ukrainë. Trump dhe Urban diskutuan edhe për samitin SHBA-Rusi. Muajin e kaluar Trump njoftoi se do të takohej me Presidentin rus Vladimir Putin në Budapest. Megjithatë takimi u shty pasi Rusia refuzoi një armëpushim.

Pak para takimit midis Trumpit dhe Orbanin, Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, njoftoi për planet e Hungarisë për të blerë nga Shtetet e Bashkuara shufra me përbërje bërthamore. Sipas njoftimeve të agjencisë shtetërore të lajmeve MTI, shufrat do të përdoren në dy centrale bërthamore të ndërtuara nga Rusia.

Varësia e Hungarisë nga nafta ruse

Sipas shifrave të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2024 Hungaria bleu nga Rusia 74% të gazit dhe 86% të naftës së saj . FMN-ja paralajmëroi se dhe vetëm ndërprerja e importit të gazit natyror rus mund të shkatojë në Hungari një humbje prodhimi që tejkalon 4% të PBB-së të vendit.

Hungaria i ka kundërshtuar planet e Komisionit Evropian për të hequr deri në fund të vitit 2027 gradualisht dorë nga gjithë importet e gazit rus dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG). Kjo kërkesë e BE-së i ka thelluar përçarjet midis Hungarisë dhe Brukselit lidhur me marrëdhëniet me Moskën./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos