
Presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kinë nga 13 deri më 15 maj, ku pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, në një moment vendimtar për marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Vizita konsiderohet si një test i rëndësishëm për armëpushimin e brishtë tregtar mes Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, pas përshkallëzimit të luftës së tarifave që nisi gjatë mandatit të parë të Trump.
Sipas raportimeve, Trump do të shoqërohet nga drejtues të kompanive të mëdha amerikane, përfshirë Boeing, Citigroup dhe Qualcomm, me synimin për të negociuar marrëveshje të reja me partnerët kinezë.
Lufta tregtare mes dy vendeve nisi në vitin 2018, kur administrata Trump vendosi tarifa mbi qindra miliarda dollarë importe kineze, duke akuzuar Pekinin për praktika të padrejta tregtare dhe dëmtim të industrisë amerikane. Tensionet vazhduan edhe gjatë presidencës së Joe Biden, i cili ruajti shumicën e tarifave dhe vendosi kufizime të reja ndaj kompanive kineze si Huawei.
Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, Trump ashpërsoi sërish politikën ndaj Kinës, duke vendosur tarifa të reja dhe duke akuzuar Pekinin për rolin në trafikun e fentanilit drejt SHBA-së. Kina iu kundërpërgjigj me masa të ngjashme, duke goditur eksportet bujqësore amerikane.
Megjithatë, takimi i fundit mes Trump dhe Xi në Korenë e Jugut solli një pezullim të përkohshëm të tarifave dhe rifillimin e negociatave tregtare. Vizita e kësaj jave pritet të përcaktojë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje më të qëndrueshme.
Në fokus të bisedimeve pritet të jenë eksportet kineze, blerjet e produkteve amerikane, teknologjia, gjysmëpërçuesit dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Një tjetër çështje e rëndësishme mbetet edhe ndikimi i konfliktit në Iran dhe siguria energjetike globale.
Analistët vlerësojnë se, ndonëse marrëdhëniet mbeten të tensionuara, të dyja palët kanë interes të shmangin një përshkallëzim të ri ekonomik që mund të trondisë tregjet ndërkombëtare.
(A2 Televizion)