
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka postuar të shtunën në rrjetet sociale se ushtria amerikane ka nisur pastrimin e Ngushticës së Hormuzit dhe se të gjitha anijet iraniane për vendosjen e minave janë shkatërruar.
“Ne tani po fillojmë procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit,” shkroi Trump, duke shtuar se “të gjitha 28” anijet iraniane për hedhjen e minave “ndodhen gjithashtu në fund të detit”.
Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se forcat amerikane kanë shkatërruar marinën dhe forcën ajrore të Iranit, si dhe kanë dëmtuar ndjeshëm programet e tij raketore balistike dhe bërthamore.
Ndërkohë, frika nga sulmet iraniane ndaj anijeve tregtare gjatë javëve të fundit ka çuar në një bllokim efektiv të Ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç për furnizimin global me naftë. Kufizimi i lundrimit në këtë ngushticë ka shkaktuar ndërprerje në tregjet globale të energjisë.
Edhe pse shumica e naftës që kalon përmes kësaj rruge detare nuk shkon drejt SHBA-së, çmimet e benzinës në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm si pasojë e pasigurive në tregjet ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, përfaqësues nga SHBA dhe Irani kanë nisur bisedime të ndërmjetësuara nga Pakistani në Islamabad të shtunën, në një moment të brishtë armëpushimi mes dy palëve në konflikt. (A2 Televizion)