Trump i bën presion Netanjahut për Libanin, Irani kërcënon: Po nuk ndalët sulmet, përgjigjia do jetë e ashpër

Nga Rosalba Bejdo
9 Prill 2026, 22:13 | Bota

Izraeli ka vijuar me bombardimet intensive kundër Iranit, duke rrezikuar të hedhë në erë armëpushimin 2-javor mes SHBA dhe Izraelit. IDF lëshoi urdhëra evakuimi për pjesë të Bejrutit, teksa kryeministri Netanjahu tha se Izraeli do të godasë Hezbollahun ku do që të jetë e nevojshme.

Por, menjëherë pas, mediat amerikane raportuan se presidenti Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit të reduktojë intensitetin e sulmeve në Liban, me qëllimin për të garantuar suksesin në negociatat e paqes. Netanjahu deklaroi se kishte udhëzuar kabinetin të nisë menjëherë bisedimet direkte me Libanin.

Benjamin Netanjahu u shpreh: “Në vazhdën e kërkesave të përsëritura të Libanit për negociuar me Izraelin, udhëzova kabinetin që të fillojë bisedimet e drejtpërdrejta me Libanin sa më shpejt të jetë e mundur. Negociatat do të përqendrohen në çarmatosjen e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore midis Izraelit dhe Libanit.”

Një orë para deklaratës së Netanjahut, presidenti libanez Joseph Aoun tha se po punonte mbi një zgjidhje diplomatike, e cila po shihej me sy të mirë nga aktorët ndërkombëtarë.

Izraeli ka ndërmarrë orët e fundit një prej valëve më intensive të bombardimeve kundër Libanit, duke shkaktuar mbi 200 viktima dhe 1 mijë të plagosur. Irani ka kushtëzuar marrëveshjen me fundin e luftimeve në Liban, dhe ka thënë se Ngushtica e Hormuzit do të hapet kur SHBA të tërheq agresionin. Presidenti Masud Pezeshkian e cilësoi sulmet izraelite ndaj Libanit si shkelje flagrante të armëpushimit dhe paralajmëron se do të qëndrojnë me duart në këmbëz.

Një sërë shtetesh europiane, përfshirë Italinë dhe Britaninë e Madhe, kanë kërkuar që sulmet në Liban të ndalen, ndërsa bëjnë thirrje që ato të mbulohen nga armëpushimi me Iranin.

Ndërkohë, në Pakistan autoritetet kanë blinduar kryeqytetin Islamabad, në prag të bisedimeve të SHBA dhe Iranit këtë fundjavë. Megjithë shpresën për një zhvillim pozitiv, palët kanë dallime të thella lidhur me planin e paqes dhe flasin për variante të ndryshme propozimesh.

Donald Trump këmbëngul se nuk do të ketë armë bërthamore për Iranin dhe se Ngushtica e Hormuzit duhet të qëndrojë e hapur, ndërsa mediat iraniane zbulojnë se mes kërkesave të Iranit është fundi i luftimeve në Iran, Irak, Jemen dhe Liban, si dhe heqja e sanksioneve të SHBA.

Presidenti Trump theksoi se ushtria amerikane mbetet në rajon dhe se, po nuk u arrit marrëveshje, SHBA do të godasë Iranin më fort se kurrë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos