
Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhuruar homologut kinez Xi Jinping një skulpturë të shqiponjës, simbolit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, gjatë darkës shtetërore të organizuar në nder të liderit kinez.
Duke prezantuar dhuratën, Trump tha se vepra ishte realizuar nga një artist amerikan dhe ishte krijuar në bashkëpunim me të dhe bashkëshorten e tij, Melania Trump.
“Në këtë frymë miqësie, kam nderin t’i ofroj presidentit Xi një dhuratë të krijuar nga një artist i jashtëzakonshëm amerikan. Shqiponja është simboli kombëtar i Shteteve të Bashkuara dhe mishëron shpirtin e lirë dhe ambicien e Amerikës”, deklaroi Trump.
Më pas, presidenti amerikan zbuloi skulpturën para të ftuarve dhe u shpreh se shpreson që ajo të gjejë “një vend të bukur dhe të veçantë në Pekin”.
Mediat raportojnë se nuk është e qartë nëse vepra artistike paraqet shqiponjën duke kapur një gjarpër, një detaj që nuk u dallua qartë për shkak të ndriçimit në sallë. Xi Jinping ka lindur në vitin 1953, i cili sipas horoskopit kinez është viti i Gjarprit. (A2 Televizion)