
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani është duke kërkuar marrëveshje me SHBA-në, pas përshkallëzimit të konfliktit dhe krizës në rajon.
Duke folur për situatën, Trump tha se Irani do të kishte “marrë kontrollin e Lindjes së Mesme” nëse nuk do të ishte lufta, por tani, sipas tij, Teherani po përpiqet të mbijetojë.
Ai pretendoi se SHBA ka “kontroll total” në situatën aktuale dhe e përshkroi bllokadën detare si shumë efektive, duke thënë se “askush nuk do ta sfidojë atë”.
Lidhur me sulmin ndaj një anijeje të Koresë së Jugut në rajon, Trump tha se ajo nuk ishte pjesë e konvojit të mbrojtur nga SHBA.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se Irani “dëshiron të bëjë marrëveshje”, por e kritikoi Teheranin për deklarata të dyfishta publike, duke thënë se ata tregojnë respekt në biseda direkte, por mohojnë kontaktet më pas në publik.
“Meqë ushtria e tyre është shkatërruar, ata duan marrëveshje. Kush nuk do të donte në këtë situatë?”, u shpreh Trump. (A2 Televizion)