Donald Trump, në një postim të ri në rrjetet sociale, pretendoi se kishte arritur të zgjidhte gjashtë konflikte ushtarake në gjashtë muaj, përfshirë një që, siç tha ai, kërcënonte të zhvillohej në një katastrofë bërthamore.
Në të njëjtën kohë, ai lëshoi kritika të ashpra ndaj mediave, si Wall Street Journal, por edhe ndaj analistëve që, siç theksoi ai, nuk i kuptojnë lëvizjet e tij në diplomaci.
Duke iu referuar luftës Rusi-Ukrainë, Trump e përshkroi konfliktin si "luftë të fjetur të Joe Biden" dhe jo të tijën, duke theksuar se ai është këtu vetëm për ta ndaluar atë dhe jo për ta përshkallëzuar më tej.
"Nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të kisha qenë president që nga fillimi", theksoi ai edhe një herë, duke shtuar se e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë për t'i dhënë fund konfliktit.
Presidenti amerikan nuk hezitoi t'i përshkruajë si "budallenj" ata që kanë punuar për këto çështje për vite me radhë pa arritur të gjejnë zgjidhje.
"Këta janë njerëz pa logjikë të shëndoshë, pa inteligjencë dhe pa kuptim. E tëra çfarë po bëjnë është ta bëjnë krizën Rusi-Ukrainë edhe më të vështirë për t'u zgjidhur", tha ai.
Duke mbyllur postimin e tij, Trump iu përgjigj kritikave që merr, duke vënë në dukje se "pavarësisht të gjithë kritikëve të mi mendjelehtë dhe shumë xhelozë, unë do t'ia dal”. “Unë gjithmonë ia dal”, nënvizon kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Këto gjashtë luftëra që Trump pretendon se janë ndalur prej tij janë:
- Izraeli dhe Irani
- Kongo dhe Ruanda
- Kamboxhia dhe Tajlanda
- India dhe Pakistani
- Serbia dhe Kosova
- Armenia dhe Azerbajxhani (A2 Televizion)