Udhëheqësit izraelitë dhe libanezë janë dakordësuar për një armëpushim 10-ditor. Është Presidenti amerikan Donald Trump që e jep lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njofton se armpushimi do të nisë të zbatohet më 17 të orës lokale.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se kishte folur si me Presidentin libanez Joseph Aoun ashtu edhe me kryeministrin izraelit, Benjamin netanjahu. Megjithatë, në deklaratën e tij nuk përmendet Hezbollahu, grupi militant në Liban, me të cilin Izraeli ka shkëmbyer zjarr, shkruan A2.
“Sapo pata biseda tëshkëlqyera me Presidentin e Libanit, Kryeministrin e Izraelit. Këta dy udhëheqës kanë rënë dakord që, me qëllim arritjen e PAQES midis vendeve të tyre, do të fillojnë zyrtarisht një armëpushim 10-ditor. Kam udhëzuar zv/presidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio që së bashku me Shefin e Shtabit Dan Caine të punojnë me Izraelin dhe Libanin për arritjen e një paqeje afatgjatë. E kam për nder që kam zgjidhur 9 lufta rreth botës dhe kjo do të jetë e 10-ta”, shkruan Trump.
Presidenti amerikan tha se do të ftojë kryeministrin izraelit Netanajhu dhe liderin libanez Aoun në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të metejshme.
“Të dyja palët duan paqe dhe besoj se ajo do të arrihet shpejt”, shtoi më tej Trump.
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, tha se e mirëpret një marrëveshje të përkohshme armëpushimi me Izraelin, për të cilën ai thotë se Libani e ka kërkuar që nga shpërthimi i luftës. Ai shprehet se shpreson që kjo marrëveshje do t’u mundësojë personave të zhvendosur nga konflikti të kthehen në shtëpitë e tyre. Ambasadorët libanezë dhe izraelitë zhvilluan bisedime të rralla në Uashington të martën, por kontaktet e drejtpërdrejta mes Netanjahut dhe Aoun do të ishin një arrijtje e madhe për marrëdhëniet mes dy vendeve që mbeten në gjendje lufte.
Hezbollah kundërshton kontaktet e drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit. (A2 Televizion)