Trump shpall armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 17:46 | Bota

Trump shpall armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një armëpushimi të përkohshëm mes Izraelit dhe Libanit, pas bisedimeve me drejtuesit e të dy vendeve.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump bëri të ditur se ka zhvilluar biseda me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sipas tij, palët kanë rënë dakord që të nisin një armëpushim 10-ditor, i cili pritet të hyjë në fuqi në orën 17:00 sipas kohës lindore në SHBA, me synim arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes dy vendeve.

Trump theksoi gjithashtu se më herët gjatë javës, përfaqësues të Izraelit dhe Libanit janë takuar për herë të parë pas më shumë se tre dekadash në Uashington, në praninë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Ai shtoi se ka udhëzuar zëvendëspresidentin JD Vance, Sekretarin e Shtetit Rubio dhe drejtues të lartë ushtarakë amerikanë që të vijojnë punën me të dyja palët për të arritur një paqe të qëndrueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos