
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se bllokada ushtarake e porteve të Iranit do të vijojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke paralajmëruar se SHBA mbetet e gatshme të godasë objektet energjetike të Teheranit nëse situata përshkallëzohet.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Pentagon, Hegseth mbajti një ton të ashpër, teksa theksoi se ushtria amerikane po monitoron nga afër çdo lëvizje të Iranit gjatë pauzës së brishtë të luftimeve, e cila pritet të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme.
Ai u shpreh se SHBA ka rritur kapacitetet ushtarake dhe inteligjencën në rajon, duke shtuar se fokusi mbetet te infrastruktura kritike me përdorim të dyfishtë dhe sektori energjetik i Iranit.
Bllokada u njoftua më herët nga presidenti Donald Trump, pasi negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, të zhvilluara në Pakistan, nuk arritën përparim. Masat përfshijnë kufizimin e porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin Persik.
Megjithatë, Hegseth theksoi se Uashingtoni preferon një zgjidhje diplomatike. “Irani mund të zgjedhë një të ardhme më të begatë për popullin e tij”, u shpreh ai, duke shtuar se SHBA mbetet e hapur për bisedime.
Nga ana tjetër, tensionet mbeten të larta. Një delegacion nga Pakistani ka mbërritur në Teheran për të koordinuar një raund të ri negociatash, ndërsa zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar se bllokada amerikane mund të çojë në rinisjen e luftimeve. (A2 Televizion)