Trump, Nobel për Kosovën? Shtëpia e Bardhë: Në 6 muajt në detyrë, ndali 6 konflikte

Nga A2 CNN
1 Gusht 2025, 20:32 | Bota

Kosova përmendet sërish në Shtëpinë e Bardhë; këtë herë nga zëdhënësja Carolinë Levitt. Ne një deklaratë ajo tha se Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka arritur t’i japë fund gjashtë konflikteve të mëdha globale, përfshirë atë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se çmimi Nobel për paqen është i vonuar.

Sipas saj Trump ka mundësuar mesatarisht nga një ujdi paqeje çdo muaj, në 6 muajt e tij në detyrë, përfshirë atë mes Serbisë dhe Kosovës, shkruan A2 CNN.

Deklarata e zëdhënëses duket se hedh poshtë pretendimet e atyre që këmbëngulin, se presidenti Trump i referohej mandatit të tij të parë, kur përmendte si sukses ndalimin e një përshkallëzimi mes Prishtinës dhe Beogradit.

Mes tyre përfshihej edhe ish-i dërguari i tij për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, i cili iu kthye ashpër Presidentes Vjosa Osmani duke e akuzuar për manipulim me fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë, pasi kjo e fundit konfirmoi deklaratën e Trump dhe rrezikun për një konflikt të ri.

Trump në disa raste ka përmendur suksese të pretenduara të tij për t’i dhënë fund konfikteve rreth botës, përfshirë atë mes Kosovës dhe Serbisë. Por ai nuk ka ofruar detaje mbi këto arritje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos