Nga Shtëpia e Bardhë e përcolli duarbosh dhe vetëm me një fotografi. Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington, këmbëngul që bisedimet me Iranin për çështjen bërthamore të vazhdojnë.
Ai paralajmëroi se SHBA mund të ndërmarrë veprime kundër Teheranit nëse nuk arrihet një marrëveshje. Trump tha se një ujdi mbetet zgjidhja e preferuar, por se rezultati përfundimtar mbetet i hapur.
Netanyahu pritet të ushtrojë presion që çdo marrëveshje të përfshijë edhe kufizimin e raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes për grupet si Hamas dhe Hezbollah. Irani ka sinjalizuar se është gati të kufizojë programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, por ka refuzuar kërkesa të tjera.
Para takimit, presidenti iranian Masoud Pezeshkian paralajmëroi se vendi i tij nuk do t’u nënshtrohet “kërkesave të tepruara”. Takimi Trump-Netanyahu zgjati gati tre orë dhe u zhvillua pa konferencë për shtyp. Trump e quajti takimin “shumë të mirë” dhe njoftoi se negociatat me Iranin do të vazhdojnë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe po shqyrtojnë dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë në rajon.
Izraeli ka deklaruar se rezervon të drejtën për veprime ushtarake nëse Irani nuk arrin një marrëveshje bërthamore me SHBA-në.
Analistët vlerësojnë se Irani ndodhet në një pozicion më të dobët pas protestave të brendshme dhe sulmeve ajrore të vitit të kaluar.
Ndërkohë, administrata Trump po përpiqet paralelisht të shtyjë përpara zbatimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. (A2 Televizion)