Trump pezullon sulmet ndaj Iranit: Presim një marrëveshje së shpejti

Nga A2 CNN
2 Gusht 2026, 08:43 | Bota

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit, pasi mund të arrihet "së shpejti" një marrëveshje me Uashingtonin.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani dhe disa vende të Lindjes së Mesme i kishin kërkuar SHBA-së të shtynte çdo sulm, pasi sipas tij ishin rënë dakord "parametrat" e një marrëveshjeje. Ai shtoi se kjo marrëveshje do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian.

Deklarata e Trump erdhi pasi mediat amerikane raportuan se SHBA-ja dhe Izraeli po shqyrtonin një valë të re sulmesh intensive ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit. Sipas CBS News, plani u diskutua gjatë mbledhjes së kabinetit të premten, përcjell A2.

Trump paralajmëroi se ushtria amerikane ishte "plotësisht e gatshme" për të goditur Iranin me një fuqi ushtarake të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore, por tha se vendimi për të pezulluar sulmet ishte marrë "për të mirën e ardhshme të botës dhe për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë".

Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ndaj deklaratës së presidentit amerikan.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Irani akuzoi SHBA-në për përshkallëzim të tensioneve dhe paralajmëroi se çdo shtet i rajonit që do të bashkëpunonte me Uashingtonin do të "përfshihej nga flakët e luftës".

Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane u bëri thirrje qytetarëve të saj në Lindjen e Mesme të tregojnë kujdes të shtuar dhe të jenë të përgatitur për largim në rast të një përshkallëzimi të situatës, duke paralajmëruar edhe për anulime fluturimesh dhe kufizime në hapësirën ajrore.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur ndjeshëm pas dështimit të armëpushimit të arritur në prill. Gjatë javëve të fundit, të dyja palët kanë shkëmbyer sulme ushtarake, ndërsa konflikti ka ndikuar edhe në luhatjet e çmimeve të naftës për shkak të rëndësisë strategjike të Ngushticës së Hormuzit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos