Shpërthim pranë një restoranti në Moskë, 3 viktima dhe 21 të plagosur

Nga A2 CNN
2 Gusht 2026, 08:50 | Bota

Shpërthim pranë një restoranti në Moskë, 3 viktima dhe

Të paktën tre persona humbën jetën dhe 21 të tjerë mbetën të plagosur pas një shpërthimi me një mjet artizanal shpërthyes pranë restorantit italian Balzi Rossi në qendër të Moskës, raportojnë mediat shtetërore ruse, duke cituar autoritetet e sigurisë.

Sipas Komitetit Kombëtar Antiterrorizëm të Rusisë, ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 me orën lokale në sheshin Kudrinskaya. Një grua, e cila mbante lëndën shpërthyese, tentoi të hynte në restorant, por u ndalua nga roja i sigurisë.

Pak çaste më pas, mjeti shpërthyes u aktivizua, duke shkaktuar vdekjen e gruas, rojës së sigurisë dhe një klienti që ndodhej në restorant, ku po zhvillohej një aktivitet privat, shkruan A2.

Autoritetet ruse nuk kanë bërë të ditur ende se cili ishte objektivi i sulmit. Megjithatë, ngjarja ka ngritur dyshime për një lidhje të mundshme me luftën në Ukrainë, pasi vitet e fundit disa zyrtarë të lartë ushtarakë rusë janë vrarë në Moskë dhe rrethinat e saj. Rusia ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për këto atentate.

Raportimet e para sugjeronin se shpërthimi kishte ndodhur në kuzhinën e restorantit, por më vonë drejtuesit e Balzi Rossi sqaruan se incidenti ndodhi jashtë ambienteve të lokalit.

Zona përreth restorantit, i cili ndodhet në një nga ndërtesat historike të epokës së Stalinit, u rrethua nga forca të shumta policore dhe rrugët u bllokuan përkohësisht.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos