
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni do të shtyjë për pesë ditë sulmet e planifikuara ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, duke sugjeruar se ka pasur përparim në bisedimet diplomatike.
Duke folur para gazetarëve, Trump tha se janë zhvilluar kontakte me një “udhëheqës të respektuar” iranian dhe se ekzistojnë “pika të mëdha dakordësie” mes palëve.
Donald Trump: “Me një person të nivelit të lartë, mos harroni, ne kemi eliminuar fazën e parë të udhëheqjes, fazën e dytë dhe në masë të madhe edhe fazën e tretë. Por tani po merremi me njeriun që unë besoj se është më i respektuari dhe udhëheqësi. E dini, është pak e vështirë. Ata janë zhdukur, ne i kemi zhdukur pothuajse të gjithë”.
I pyetur nëse ky njeri ishte lideri suprem Mojtaba Khamenei, Trump tha që jo dhe insinuoi që aim und të ketë vdekur. Megjithatë, ai nuk dha detaje konkrete për identitetin e personit me të cilin janë zhvilluar këto bisedime, përcjell A2CNN.
“Jo, jo Udhëheqësi Supren. Askush nuk ka dëgjuar për ‘udhëheqësin e dytë suprem’, djalin. Askush, ne nuk kemi dëgjuar nga djali, herë pas here mund të shihni ndonjë deklaratë, por ne nuk e dimë nëse është gjallë, por njerëzit që duket se po e drejtojnë situatën, dhe duket kështu bazuar në fakte, sepse gjërat që kanë thënë janë realizuar”.
Presidenti amerikan e la çështjen qëllimisht të paqartë, pa përmendur emra apo pozita zyrtare, çka ka shtuar spekulimet mbi kanalet e komunikimit mes dy vendeve në mes të tensioneve të larta.
Deri tani, Trump nuk ka specifikuar se me cilin zyrtar apo figurë iraniane ka komunikuar. Ai e ka mbajtur deklaratën evazive, duke përdorur vetëm shprehjen “udhëheqës i respektuar”.
Zhvillimi vjen në një moment kritik të përshkallëzimit midis SHBA-së dhe Iranit, ku çdo sinjal për negociata shihet si përpjekje për të shmangur një përplasje më të gjerë ushtarake. (A2 Televizion)