
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer idenë e tij për ta shpallur Ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar propozimin si një “ide të shkëlqyer”. Deklarata u bë të hënën, në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta.
I pyetur për deklaratat e tij të mëparshme, Trump tha se SHBA-ja aktualisht ushtron kontroll përmes bllokadës detare dhe se i pëlqen ideja që ngushtica të shpallet zyrtarisht territor amerikan.
“Është një ide e shkëlqyer. Dua të them, ne e kontrollojmë atë përmes bllokadës dhe më pëlqen ideja që ta shpallim territor”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se Irani mund të përpiqet të pengojë lëvizjen detare, përfshirë përmes vendosjes së minave. Sipas Trump, bllokada amerikane ka qenë efektive, ndërsa Uashingtoni synon të ruajë kontrollin mbi një prej rrugëve detare më strategjike të botës.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit. Çdo përshkallëzim në këtë zonë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për tregjet energjetike dhe transportin detar.
(A2 Televizion)