Në gjysmën e parë të vitit, vetëm 1 në 4 turistë u akomodua në strukturat e deklaruara

Nga Marjo Brakaj
17 Gusht 2026, 19:12 | Ekonomi

Mbi 5 milionë të huaj hynë në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit, por më pak se 1.2 milionë rezultojnë të akomoduar në strukturat turistike të deklaruara. Apartamentet me qira ditore vijojnë të operojnë në masë të madhe jashtë sistemit, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për formalizimin e sektorit. Ekspertët vlerësojnë se informaliteti po krijon një treg me konkurrencë të pabarabartë dhe po kufizon të ardhurat që shteti mund të sigurojë nga turizmi.

Vetëm një në katër turistë që hyri në Shqipëri në gjysmën e parë fjeti në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit. Kjo të paktën sipas shifrave zyrtare apo atyre që raportojnë vetë bizneset. Nga mbi 5 milionë vizitorë të huaj, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se më pak se 1.2 milionë prej tyre u regjistruan të paktën një natë, ndërsa të tjerët kanë qëndruar në struktura të padeklaruara

“Kjo tregon informalitetin. Shqipëria ka gati 48 për qind të kapaciteteve akomoduese, i ka apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor. Kjo dëmton sa arkën e shtetit, aq edhe konkurrencën mes subjekteve.”, tha Ferjold Ozun, pedagog, ekspert i turizmit.

Thirrjet e qeverisë, shpesh të shoqëruara me paralajmërime për gjoba, po reflektohen pak në shtimin e deklarimeve nga strukturat akomoduese. Në krahasim me janar-qershorin 2025, shtesa është vetëm 19 për qind. Tregu i qiradhënies ditore vijon të mbizotërohet nga informaliteti dhe pagesat “në dorë”.

“E gjeta apartamentin përmes Airbnb dhe më dukej një zgjedhje e mirë për qëndrimin tim. Kur mbërrita, pronari më kërkoi që pagesën ta bëja direkt në dorë. Për mua ishte diçka praktike dhe nuk e mendova shumë në atë moment, sepse gjithçka tjetër me apartamentin ishte në rregull.”, u shpreh turisti nga Belgjika.

“Rezervimin e bëra online, por pagesën e kryeva vetëm pasi mbërrita në Shqipëri. Në fillim kisha pak pasiguri, sepse nuk e njihja personin apo apartamentin, por në fund vendosa ta bëja sepse çmimi ishte më i favorshëm. Për një turist, çmimi shpesh është një faktor shumë i rëndësishëm në këtë zgjedhje.”,tha një turiste nga Gjermania

Hoteleritë kryesojnë me deklarime, me pak më shumë se 1 milionë të regjistruar, ndërsa nga apartamentet me qira ditore pati vetëm 84 mijë e 420 akomodime të raportuara.

“Shifrat na tregojnë se kemi një problem me mënyrën se si po e lexojmë turizmin në Shqipëri. Numri i hyrjeve është shumë i lartë, por kjo nuk do të thotë automatikisht se kemi të njëjtin numër turistësh që qëndrojnë dhe konsumojnë shërbime për disa ditë. Një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve vijnë, qëndrojnë për një periudhë shumë të shkurtër ose vazhdojnë udhëtimin drejt destinacioneve të tjera. Në të njëjtën kohë, duhet të marrim parasysh edhe kapacitetet që funksionojnë jashtë kanaleve zyrtare të raportimit.”,tha Ferjold Ozun, pedagog, ekspert i turizmit.

Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm 1 mijë e 850 apartamente me qira ditore janë të regjistruara te tatimet dhe paguajnë taksat dhe tarifat.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos