“Nëse na pengon, do ta godasim Omanin”, Trump kërcënon të bombardojë aleatin e SHBA-së

Nga A2 CNN
17 Gusht 2026, 19:30 | Bota

“Nëse na pengon, do ta godasim Omanin”, Trump

Një kërcënim i fortë nga Donald Trump ka tronditur Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan paralajmëron se Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë Omanin, një aleat i Uashingtonit, nëse Musakati ndërhyn apo pengon negociatat e administratës së tij me Iranin.

Deklarata, sipas Fox News, është bërë gjatë një bisede telefonike të hënën, ku Trump pretendoi gjithashtu se SHBA-ja ka një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. Por Teherani e mohoi menjëherë këtë pretendim.

“Asnjë bisedim nuk po zhvillohet mes zyrtarëve të Gardës dhe amerikanëve. Kjo gënjeshtër e Trump ushqehet nga fantazitë e shkaktuara nga iluzionet dhe makthet që po pëson si pasojë e disfatës dhe dëshpërimit në luftë.” Garda Revolucionare e Iranit

Kërcënimi i Trump erdhi pasi zyrtarët iranianë thanë se kishin arritur një marrëveshje me Omanin për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, u tha gazetarëve në Teheran se kishte mirëkuptim lidhur me hartën e itinerarit të tranzitit.

Reuters, që citon një zyrtar iranian, raportoi më herët se Teherani do të kërkonte tarifa prej 5 deri në 7 për qind të çmimit të ngarkesave në anijet që do të kalojnë në Hormuz.

Mes mungesës së përparimit diplomatik, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha në një reagim të hënën se qëllimi i tij numër një ishte që Irani të mos kishte në asnjë mënyrë e në asnjë formë armë bërthamore. Megjithatë, për Fox News deklaroi se nuk e ka me nxitim t’i japë fund luftës.

Zhvillimet e reja vijnë në një moment delikat, pasi memorandumi 60-ditor i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit për vijimin e negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare skadon të hënën.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos