
Një skaf që ndodhej në det është përfshirë nga flakët në zonën e Porto Palermos, ku shpërthimi i motorit la të plagosur katër persona.
Pamjet tregojnë momentin kur mjeti merr flakë dhe më pas ndodh shpërthimi, ndërsa personat që ndodheshin pranë motorit mbeten të dëmtuar.
Të plagosurit janë Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu. Ata po punonin për riparimin e motorit kur ndodhi incidenti, shkruan A2CNN.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një cigare, e cila ka ndezur karburantin e derdhur në skaf. Flakët janë përhapur më pas në motor, duke shkaktuar shpërthimin.
Katër të dëmtuarit morën ndihmën e parë në Himarë dhe më pas u transportuan për trajtim më të specializuar. Dy prej tyre, të cilët kanë pësuar djegie më të shumta, janë nisur drejt Tiranës, ndërsa dy të tjerët ndodhen në gjendje më të stabilizuar.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes. (A2 Televizion)