Trump “tërbohet” me Zelenskin: Dorëzoni Donbasin, ose Putin do ju shkatërrojë

Nga Erjon Dervishi
20 Tetor 2025, 15:37 | Bota

Duket se Volodymyr Zelenskyy nuk do ta ketë të lehtë arritjen e një paqeje me Rusinë. Kjo pasi edhe faktori amerikan po punon kundër tij. Burime diplomatike për prestigjiozen Financial Times, bëjnë me dije se, në të takimin e së premtes në Uashington, Donald Trump i kërkoi Volodymyr Zelensky-t të pranonte kushtet e Rusisë për t'i dhënë fund luftës së saj, duke paralajmëruar se Vladimir Putin kishte thënë se do ta "shkatërronte" Ukrainën nëse ajo nuk do të binte dakord.

Takimi midis presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës u shndërrua shumë herë në një “ndeshje me britma”, me Trumpin “që mallkonte gjatë gjithë kohës”, thanë persona të njohur me çështjen, citon Financial Times.  Ata shtuan se presidenti amerikan hodhi mënjanë hartat e vijës së frontit në Ukrainë, këmbënguli që Zelensky t’ia dorëzonte të gjithë rajonin e Donbasit Putinit dhe përsëriti vazhdimisht pikat e diskutimit që udhëheqësi rus kishte ngritur në telefonatën e tyre disa ditë më parë.

Edhe pse Trump më vonë mbështeti një ngrirje të vijave aktuale të frontit, takimi i acaruar dukej se pasqyronte pozicionin në ndryshim të presidentit amerikan ndaj luftës dhe gatishmërinë e tij për të mbështetur kërkesat maksimaliste të Putinit. Takimi midis Trump dhe Zelenskyy erdhi në mes të një shtytjeje të re nga presidenti amerikan për t'i dhënë fund luftës së Rusisë pas armëpushimit të siguruar midis Izraelit dhe Hamasit. Zelenskyy dhe ekipi i tij shkuan në Shtëpinë e Bardhë me shpresën për të bindur Trumpin që t'i furnizonte ata me raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, por presidenti amerikan në fund refuzoi ta bënte këtë.

Gjatë takimit të së premtes, Trump duket se i kishte përvetësuar shumë nga pikat e diskutimit të Putinit fjalë për fjalë, edhe kur ato binin ndesh me deklaratat e tij të fundit në lidhje me dobësitë e Rusisë, thanë zyrtarët evropianë të informuar për takimin.

Sipas një zyrtari evropian, Trump i tha Zelenskyy-t se Putin i kishte thënë se konflikti ishte një “operacion special, madje as luftë”, duke shtuar se udhëheqësi ukrainas duhej të arrinte një marrëveshje ose të përballej me shkatërrim. Zyrtari tha se Trump i tha Zelenskyy se po e humbiste luftën, duke e paralajmëruar se: “Nëse Putin dëshiron, ai do t’ju shkatërrojë.”

Në një moment gjatë takimit, presidenti amerikan i hodhi mënjanë hartat e fushëbetejës të Ukrainës, tha zyrtari i njohur me takimin. Sipas zyrtarit, Trump tha se ishte “i lodhur” duke parë hartën e vijës së frontit të Ukrainës vazhdimisht. “Kjo vijë e kuqe, as nuk e di se ku është. Nuk kam qenë kurrë atje”, tha Trump, sipas zyrtarit. Trump tha gjithashtu se ekonomia e Rusisë “po ecën shumë mirë”, tha zyrtari, në një kontrast të thellë me deklaratat e tij të fundit publike në të cilat ai i kërkoi Putinit të negociojë sepse “ekonomia e tij do të shembet”. Shtëpia e Bardhë dhe zyra e presidentit ukrainas nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Zelenskyy u tha gazetarëve në komentet e publikuara të hënën se “Trump dëshiron një fitore të shpejtë - një fund të luftës - dhe kjo do të ishte një fitore për të gjithë njerëzit e arsyeshëm.”

“Megjithatë, Putini dëshiron pushtimin total të Ukrainës”, tha ai.

Zelenskyy konfirmoi se Putin i kishte kërkuar Trump që Ukraina “të tërhiqej nga Donbasi – jo i gjithë lindja, por konkretisht Donbasi, domethënë, plotësisht nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut”. Udhëheqësi ukrainas tha se ia kishte “bërë të qartë” Trumpit “se qëndrimi i Ukrainës në këtë kontekst mbetet i pandryshuar”. Trump i tha Fox Neës të dielën se ishte i bindur për sigurimin e një fundi të konfliktit dhe shtoi se Putini “do të merrte diçka, ai ka fituar një pronë të caktuar”.

Putini i bëri një ofertë të re Trumpit të enjten, sipas së cilës Ukraina do të dorëzonte pjesët e rajonit lindor të Donbasit nën kontrollin e saj në këmbim të disa zonave të vogla të dy rajoneve jugore të vijës së frontit, Kherson dhe Zaporizhzhia. Zelenskyy tha pas bisedimeve të së premtes me Trump se ai ende nuk e kuptonte se nga çfarë ishin të gatshëm të hiqnin dorë rusët në ato rajone. “Deri më tani, nuk ka një qëndrim të qartë”, tha ai.

Propozimi rus shënon një lëshim të vogël nga ai i bërë gjatë takimit të fundit të Putinit me Trumpin në Alaska në gusht, ku ai tha se do të binte dakord të ngrinte vijën e kontaktit diku tjetër në vijën e frontit nëse Ukraina do të dorëzonte Donbasin. Por lëshimi i pjesës së mbetur të Donbasit që është ende nën kontrollin e Ukrainës do të ishte një dështim për Ukrainën, pasi do t'i jepte Moskës territorin që e ka pushtuar vetëm pjesërisht për më shumë se një dekadë dhe që nuk ka arritur ta pushtojë që kur Putini urdhëroi pushtimin në vitin 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos