Trump thyen traditën, nis vizitën e parë të mandatit të dytë në Arabinë Saudite

Nga A2 CNN
13 Maj 2025, 11:19 | Bota

Trump thyen traditën, nis vizitën e parë të mandatit të

Presidenti Donald Trump ka nisur nga Arabia Saudite turneun e parë të madh ndërkombëtar gjatë mandatit të tij të dytë, duke thyer traditën e presidentëve amerikanë që vizitojnë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë ose Meksikën.

Ai është takuar me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman në Riad. Më vonë ai pritet të flasë në një forum investimesh SHBA-Saudite, ku Elon Musk është gjithashtu i listuar si folës. Një darkë shtetërore luksoze është planifikuar në Riad më vonë.

Presidenti amerikan do e kalojë ditën e sotme dhe një pjesë të ditës së nesërme në kryeqytetin Riad, përpara se të niset për të takuar aleatë të tjerë kryesorë në Gjirin Persik – Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shtetet e Bashkuara njoftuan një shitje armësh prej mbi 1.4 miliardë dollarësh në Emiratet e Bashkuara Arabe përpara udhëtimit të Trump. Një sërë marrëveshjesh midis dy vendeve pritet të njoftohen gjatë vizitës së tij, duke përfshirë investime në inteligjencën artificiale, çipa, prodhim dhe energji. Trump mund të njoftojë gjithashtu një shitje të madhe armësh në Arabinë Saudite.

Kujtojmë se Trump ka zhvilluar një udhëtim në Arabinë Sauditë në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të parë, kur priti një samit të madh të udhëheqësve nga e gjithë bota arabe dhe myslimane për të luftuar kundër terrorizmit dhe për t’iu kundërvënë Teheranit.

Pritet që në këtë udhëtim, presidenti amerikan të flasë për lëvizjen drejt një armëpushimi në Gaza.

Por presidenti, i cili e sheh veten si hartuesi më i mirë i marrëveshjeve në botë, është i përqendruar në mega-marrëveshje për të sjellë investime dhe vende pune në Amerikë.

Udhëheqësit më të lartë të biznesit dhe teknologjisë në SHBA janë me të, për të nënshkruar projekte me vlerë më shumë se 1 trilion dollarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos